LIVE/ SHBA-Iran 6 orë të “kyçur” në negociata në Pakistan. Pakt për asetet e ngrira të Teheranit? Uashingtoni e mohon. Europa ka edhe 3 javë karburant për avionët

11/04/2026 21:12

Gjithë vëmendja e botës është kthyer nga Pakistani, aty ku zhvillohen prej 6 orësh bisedimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Iranin për t’i dhënë fund luftës në Lindjen e Mesme.

Shtëpia e Bardhë konfirmoi se negociatat mes SHBA dhe Iranit po zhvillohen në Islamabad, të drejtuara nga kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, dhe shefi i shtabit të ushtrisë, Asim Munir. Gjithashtu, Shtëpia e Bardhë konfirmoi se një “grup ekspertësh amerikanë mbi fushat përkatëse janë të pranishëm në Islamabad”.

Në negociatat e ndërmjetësuara nga Pakistani, delegacioni amerikan përbëhet nga zëvendëspresidenti JD Vance, i dërguar i Shtëpisë së Bardhë, Steve Ëitkoff, dhe dhëndri i presidentit amerikan, Jared Kushner, ndërsa iranianët drejtohen nga kreu i parlamentit, Mohammad Bagher Ghalibaf. Në Islamaband për ndërmjetësim mes palëve ndodhet edhe një delegacion nga Kina.

Mediat botërore raportojnë se bisedimet po përparojnë, ndërsa në një mesazh në rrjetet sociale, presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se Ngushtica e Hormuzit do të hapet së shpejti. Po ashtu, Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara thotë se ka nisur pastrimi i minave të vendosura nga iranianët në Ngushticën e Hormuzit. Në njoftim thuhet se kjo bëhet për të siguruar që rruga ujore të jetë e pastër dhe e sigurt.

Ndërkohë, në samitin diplomatik të Pakistanit, Irani ka hedhur në tavolinë 4 kushte të panegociueshme për të arritur armëpushimin; kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, pagesën e dëmshpërblimeve të luftës, lirimin e aseteve të ngrira në bankat e huaja dhe një armëpushim në rajon. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, SHBA deri më tani i ka refuzuar.

Këto pritet të jenë bisedimet në nivelin më të lartë mes SHBA-së dhe Iranit që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979 dhe negociatat e para zyrtare ballë për ballë mes dy palëve që nga viti 2015, kur u arrit marrëveshja për programin bërthamor të Iranit. Donald Trump e anuloi këtë marrëveshje në vitin 2018, gjatë mandatit të tij të parë.

21:06 Zhvillim i rrallë diplomatik/ SHBA dhe Irani zhvillojnë bisedime direkte prej më shumë se pesë orësh, tensionet rajonale mbeten të larta

Një delegacion amerikan i udhëhequr nga zëvendëspresidenti JD Vance ka zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta me zyrtarë të Iran në Islamabad, një zhvillim i rrallë diplomatik mes dy vendeve.

Sipas burimeve dhe mediave iraniane, palët kanë shkëmbyer dokumente me shkrim mbi çështjet kryesore dhe faza e parë e negociatave ka përfunduar, duke sinjalizuar një hap të rëndësishëm drejt uljes së tensioneve.

19:05 Përpjekje për të rikthyer lirinë e lundrimit, SHBA nis pastrimin e minave në Ngushticën e Hormuzit

Komanda Qëndrore e SHBA-së (Centcom) ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara kanë filluar operacionet për pastrimin e minave detare në Ngushticën e Hormuzit, në një përpjekje për të rikthyer sigurinë e transportit detar në një nga rrugët më kritike energjetike në botë.

18:53 “Kemi shkatërruar ushtrinë e Iranit”, Trump: Ngushtica e Hormuzit pritet të rihapet së shpejti

Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka deklaruar se Ngushtica e Hormuzit do të rihapet së shpejti, ndërsa zhvillohen bisedime të nivelit të lartë midis delegacioneve amerikane dhe iraniane.

15:02 Tensionet në Lindjen e Mesme, SHBA-të dhe Irani fillojnë bisedimet e paqes në Pakistan

Bisedimet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara kanë nisur në Pakistan, sipas raportimeve të transmetuesit shtetëror iranian IRIB.

14:53 Bisedimet në Pakistan, 4 “vijat e kuqe” të Iranit: Nuk heqim dorë nga të drejtat tona

Në takimin e Islamabadit, Irani shkon i vendosur të mos heqë dorë nga kërkesat e tij. Zëdhënësja e qeverisë iraniane Fatemeh Mohajerani, deklaroi se vendi i saj merr pjesë në negociatat me Shtetet e Bashkuara duke ruajtur pozicionet e tij.

12:58 “SHBA-ja ka rënë dakord të zhbllokojë asetet e ngrira iraniane në Katar”/ Shtëpia e Bardhë hedh poshtë pretendimet, vijojnë bisedimet për negociata në Pakistan

Një burim i lartë nga Irani deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord të lirojnë asetet e ngrira iraniane të mbajtura në Katar dhe në banka të tjera të huaja, duke e cilësuar këtë hap si një shenjë “serioziteti” nga Uashingtoni përpara bisedimeve të paqes në Islamabad.

12:57 Evropa, vetëm tre javë larg mungesës së karburantit për avionët, rritja e çmimeve dhe tensionet globale rrezikojnë fluturimet dhe turizmin në BE

Evropa mund të përballet me mungesë të karburantit për avionë brenda tre javëve të ardhshme, duke rrezikuar seriozisht transportin ajror dhe ekonominë e Bashkimit Europian. Paralajmërimi vjen nga ACI Europe, që përfaqëson aeroportet evropiane, e cila në një letër drejtuar zyrtarëve të Komisionit Europian thotë se situata mund të përkeqësohet nëse nuk rifillon qarkullimi në Ngushticën e Hormuzit në mënyrë të qëndrueshme.

12:03 Takimi për negociatat në Pakistan, SHBA-të bien dakord të zhbllokojnë asetet iraniane të ngrira në Katar dhe vende të tjera

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rënë dakord të zhbllokojnë një pjesë të fondeve iraniane të ngrira në Katar dhe në banka të tjera jashtë vendit, sipas një burimi iranian, shkruan Reuters. Ky zhvillim shihet si një sinjal i “seriozitetit” të Uashingtonit për arritjen e një marrëveshjeje në bisedimet që po zhvillohen në Islamabad.

11:33 Bisedimet për paqe/ Delegacionet e SHBA dhe Iranit mbërrijnë në Pakistan, Trump: Ngushtica e Hormuzit do hapet

Delegacionet e SHBA-se dhe Iranit kanë mbërritur në Islamabad për bisedimet e paqes të planifikuara të mbahen sot në kryeqytetin e Pakistanit me qëllimin të gjendet një zgjidhje diplomatike e konfliktit të nisur në fund të shkurtit.

11:15 Bisedimet në Islamabad, zbardhen detaje, zv.presidenti iranian: Dështimi do sjellë…

Zëvendëspresidenti i parë i Iranit, Mohammad Reza Aref, ka ashpërsuar retorikën ndaj SHBA-së pak para bisedimeve të rëndësishme që pritet të zhvillohen në Islamabad. Në një reagim në rrjetet sociale, Aref deklaroi se një marrëveshje paqeje mund të arrihet vetëm nëse Shtetet e Bashkuara veprojnë sipas interesave të tyre, duke iu referuar doktrinës “Amerika e Para” të presidentit Donald Trump.

11:02 Tregjet botërore me sytë nga Pakistani, a do ta ulin bisedimet çmimin e naftës?

Mes pasigurisë që po rrethon armëpushimin e brishtë të SHBA-së me Iranin, zv/presidenti amerikan JD Vance shpreson që në bisedimet e paqes në Islamabad të arrijë përparim drejt mbylljes së një lufte e cila ka sjellë rritjen drastike të çmimeve globale të naftës gjatë muajit të fundit.

10:32 Takimi në Pakistan për negociata, Irani dhe SHBA-ja zhvillojnë sot në Islamabad bisedimet diplomatike të nivelit më të lartë që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979

Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar në Islamabad bisedimet diplomatike të nivelit më të lartë që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979, sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare.

07:53 JD Vance në Pakistan për negociatat me Iranin/ Takime me masa të rrepta në zonën e sigurisë së lartë, autoritetet bllokojnë lëvizjen e qytetarëve

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, J. D. Vance, ndodhet në Pakistan për bisedime të rëndësishme mes SHBA-së dhe Iranit, që synojnë uljen e tensioneve dhe arritjen e paqes në Lindjen e Mesme.

Top Channel