Sarkozy rikthehet në gjykatë, Carla Bruni tërheq vëmendjen me paraqitjen e saj

08/04/2026 08:25

Carla Bruni u shfaq larg imazhit të saj të zakonshëm joshës, teksa ishte në krah të bashkëshortit të saj, Nicolas Sarkozy, në gjykatën e apelit në Paris të martën.

Ish-modelja u paraqit me një pamje të thjeshtë, duke mbajtur grim minimal, një kostum të zi dhe atlete të bardha, ndërsa hyri në Pallatin e Drejtësisë nën shoqërinë e forcave të policisë. Në duar mbante vetëm syzet e diellit dhe telefonin celular.

Sipas raportimeve të Daily Mail, paraqitja e saj ishte dukshëm ndryshe nga ajo e tetorit të kaluar, kur ajo shoqëroi Sarkozy-n gjatë transferimit të tij drejt burgut La Santé.

Ish-presidenti francez u dënua vitin e kaluar me pesë vite burg për konspiracion kriminal, në lidhje me një skemë të dyshuar financimi të fushatës së tij zgjedhore nga regjimi i Muammar Gaddafi. Me këtë vendim, ai u bë ish-kreu i parë i një shteti të Bashkimit Europian dhe lideri i parë francez i pasluftës që përfundon në burg.

Pas rreth 20 ditësh të kaluara në një burg në Paris, të cilat ai i përshkroi si “rraskapitëse” dhe “të tmerrshme”, Sarkozy u lirua në nëntor, në pritje të procesit të apelit. Ndërkohë, ai ka publikuar edhe një libër mbi përvojën e tij në burg.

Top Channel