Rezistenca antifashiste, përkujtohet në Durrës “7 Prilli i 1939” kur u kundërshtua pushtimi italian

07/04/2026 16:35

U përkujtua sot në Durrës 87-vjetori i rezistencës antifashiste shqiptare, një nga momentet më domethënëse të historisë së vendit.

Drejtues të pushtetit vendor, familjarë të veteranëve dhe të rënëve në luftë, vendosën kurora dhe bënë homazhe pranë monumentit të Heroit të Popullit, Mujo Ulqinaku, në nderim të atyre që sakrifikuan jetën për liri më 7 prill 1939. Në këtë përvjetor nuk munguan as zërat e atyre që e kanë trashëguar kujtesën e luftës.

“Mujo, heroi i parë i luftës, me shokët e tjerë luftuan dhe dhanë mesazhin se populli shqiptar duron varfërinë dhe çdo vuajtje, por jo robërinë”, u shpreh veterani Hulusi Hako.

Ndërkohë, përfaqësues të organizatave të veteranëve kërkuan më shumë vëmendje institucionale për këtë datë historike.

“Mos të lejojmë të zbehet kjo datë dhe mos të harrohet heroizmi i tyre. Bashkia duhet ta organizojë më mirë. Sot nuk kishte përfshirje dhe u vendosën vetëm kurora, edhe pse ne kërkuam organizim. Duhet të merren masa që muzeu i luftës dhe dëshmorëve të marrë vlerën që meriton”, tha Hajdar Domi, Kryetar i Organizatës së Veteranëve në Bashkinë Durrës.

87 vite më parë, trupat fashiste italiane zbarkuan në Durrës dhe u përballën me rezistencë të armatosur, pavarësisht numrit të kufizuar të luftëtarwve dhe mungesës së armatimit. Luftimet u zhvilluan në rrugët e qytetit, derisa rezistenca u thye nga forcat dhe artileria e rëndë.

Sot, Durrësi është një qytet ku jeton një komunitet i integruar italianësh, ndërsa mijëra shqiptarë prej vitesh jetojnë dhe punojnë në Italinë fqinje, një kontrast që e bën kujtesën historike edhe më të rëndësishme për t’u ruajtur.

Top Channel