Alessandro Bastoni mund të mos jetë objektivi kryesor i Barcelonës në merkaton e transferimeve. Të paktën kjo është ajo që theksohet në programin ‘Pressing’ në Itali ku u zbulua se në fakt drejtuesit e klubit blaugrana kërkuan informacione për Andrea Cambiaso.

Futbollisti është një nga shtyllat e Juventusit të Luciano Spallettit, por si gjithmonë, përballë një oferte të rëndësishme në Torino janë gati të nisin tratativat për shitjen e tij në mënyrë që të arkëtojnë të ardhura, sidomos nëse Juventusi  nuk do t’ia dalë të hyjë në zonën Champions.

Por në Spanjë vazhdojnë të përmendin emrin e Bastonit. Sipas ‘El Mundo Deportivo’, Barcelona ka si prioritet sjelljen në skuadër të një sulmuesi dhe një mbrojtësi të majtë, ku për këtë rol, futbollisti me profilin ideal shihet pikërisht ai i Interit. Nga ana e tij, mësohet se vetë Bastoni ka kërkuar të përshpejtohen lëvizjet për transferimin e tij edhe pse fillimisht atij i duhet të gjejë një marrëveshje personale me kampionët e Spanjës.

Vetëm pas kësaj, klubi katalanas do të ulet në tryezën e bisedimeve me Interin, i ndërgjegjshëm se zikaltrit do të duan të sigurojnë të ardhura të konsiderueshme duke parë eliminimin e parakohshëm të tyre në Ligën e Kampioneve. Mësohet se Barcelona është gati të ofrojë rreth 55-60 milionë euro, ndoshta me një ulje të çmimit duke parë edhe faktin se kontrata mes Bastonit dhe Interit do të skadojë pas vetëm 2 vitesh.

Top Channel