Lautaro Martinez u kthye dhe kjo duket qartë. Në San Siro tifozët u bënë dëshmitarë të dygolëshit të tij në fitoren 5-2, një dygolësh që është edhe një paralajmërim për ndjekësit e Interit, Milan e Napoli.

Argjentinasi është një makineri golash dhe fitores, siç e tregojnë dhe statistikat që kanë të bëjnë me golat e shënuar në sezonin 2025/26. Nuk janë vetëm 200 golat në karrierë në rang klubesh(173 me Interin dhe 27 me Racing) dhe 20 në sezonin aktual me zikaltrit dhe 3 me Argjentinën, por Lautaro mes Interit dhe skuadrës Albiceleste ka shënuar në 19 ndeshje dhe skuadrat e tij kanë arritur…19 fitore. 

E gjithë kjo ka ndodhur në 14 ndeshje të Serie A, 3 të Ligës së Kampioneve dhe 2 miqësore me kombëtaren argjentinase. Duke kujtuar golat e tij në kampionat, ashtu siç ndodhi në ndeshjet me Romën, shpesh ata kanë ndihmuar Interin të fitojë me goleada; 5-0 ndaj Torinos, 4-1 ndaj Cremoneses, 4-0 ndaj Comos, 6-2 ndaj Pisas apo 5-0 ndaj Sassuolos. Por disa prej golave të tij kanë qenë vendimtare në ndeshje të fituar me rezultat të ngushtë Genoa (2-1), Atalanta (1-0) dhe Udinese (1-0). Inter ka barazuar apo ka humbur vetëm kur ai nuk ka mundur të gjejë rrugën e rrjetës.

I njëjti diskutim edhe në Ligën e Kampioneve ku Lautaro shënoi ndaj Slavia Prata, Union Saint-Gilloise dhe Kairat Almaty, përpara se ‘të mbetej thatë’ në humbjet ndaj Atletico Madrid, Liverpool, Arsenal dhe Bodo Glimt (në ndeshjen e parë). Mungesa e tij në ndeshjen e kthimit ashtu sikurse edhe në derbin me Milanin të humbur dhe në barazimet me Atalantën dhe Fiorentinën u ndjenë shumë.

Interi e shtrëngon fort pas kthimit në fushë, por edhe trajneri Scaloni e përkëdhel teksa Botërori po afron. Me skuadrën Albiceleste ka shënuar ndaj Porto Rico dhe Angolës, ndërkohë që mungoi në pauzën e fundit të kombëtareve për problemin muskular

Top Channel