Java e 30 e Kategorisë Superiore u mbyll pasditen e kësaj të diele me ndeshjen mes Vorës dhe Teutës e fituar pikërisht nga skuadra e Arjan Bellaj 1-0.

. Ishte një javë që pa Vllazninë që vazhdon që të qëndrojë në krye të klasifikimit pasi arriti të marrë një fitore me shumë peshë ditën e shtunë në ‘Arenën e Demave’ ndaj Partizanit. Dygolëshi i Dodajt ndaj Të Kuqve është një nxitje më shumë për skuadrën e Edi Martinit që kërkon të kthejë titullin kampion në Shkodër pas 25 vitesh.

Vllaznia është me 56 pikë në krye me vetëm 2 pikë më shumë se skuadra e vendit të dytë që tani mbahet nga Egnatia. Skuadra kampione në fuqi e vendit iu fal tregolëshit të Adjessas për të mposhtur pastër skuadrën e Bylisit për të vijuar rivalitetin me Vllazninë në garën e ndezur për titullin kampion të vendit, një garë ku padyshim vazhdon të jetë i përfshirë edhe Elbasani në vendin e tretë.

Skuadra e drejtuar nga Gvozdenovic, ndonëse pësoi një humbje të rëndë në mbrëmjen e së shtunës ndaj Dinamos me rezultatin 4-1 është aty pranë Vllaznisë dhe Egnatias me 53 pikë, një situatë që i bën 6 javët e mbetura të kampionatit shumë interesante.

Partizani ndonëse humbi me Vllazninë, edhe për këtë javë arriti të ruajë vendin e katërt në klasifikim që të jep mundësinë të luash shanset në Final Four për titullin në Kategorinë Superiore. Por skuadra e Kërnajës duhet të ruhet nga Dinamo që pas suksesit me Elbasanin është ngjitur në 43 pikë, 1 më pak se Partizani, që do të thotë se edhe këtu do të kemi një garë shumë të ndezur. Më e distancuar është Teuta që pas humbjes me Vorën mbetet në vendin e 6 me 38 pikë, 6 më pak se vendi i katërt.

Shumë interesante është edhe lufta për mbijetesën në elitën e futbollit shqiptar, ku 4 skuadra ndahen nga 5 pikë kur kanë mbetur edhe 6 javë nga fundi i kampionatit. Bylis është në vendin e 7, por skuadra e Mirel Josës nuk mund të jetë aspak e qetë pasi ka 30 pikë, po aq sa edhe Vora në vendin e tetë që të con në playout. Tirana që barazoi me Flamurtarin është e parafundit por është vetëm 2 pikë prapa Bylisit dhe Vorës, ndërkohë që edhe skuadra vlonjate ka shpresat e saj teksa është me 25 pikë.

Top Channel