Gennaro Gattuso që është në Malaga për të rigjetur sado pak qetësi pas epilogut të hidhur me kombëtaren italiane, do të kishte shumë gjëra për të thënë dhe ndoshta një ditë do t’i thotë, por tani për tani është momenti i dhimbjes, zhgënjimit dhe heshtjes.

Por Corriere Della Sera tregon mendimet e  ish trajnerit të Të Kaltërve, pozicionin e tij për disa prej polemikave post-Bosnja që po vazhdojnë; nga zgjedhja e ekzekutuesit të penalltive e deri te shpërblimi i kërkuar nga futbollistët për kualifikimin

Dorëheqja dhe zgjidhja e kontratës; heqja dorë nga paratë e tij në favor të stafit. E nisim nga kapitulli i fundit i historisë së kaltër të Gattusos, atë të dorëheqjes me zgjidhje konsensuale të kontratës që zyrtarisht erdhi të premten, por që u maturua pas humbjes me penallti. Gjithçka u shty për disa ditë dhe komunikata e FIGC u publikua vetëm kur Gattuso mësoi se do të sistemohej çdo gjë e lënë pezull në aspektin ekonomik me stafin e tij, ndërsa ai vetë, siç e ka zakon, hoqi dorë nga të gjitha paratë.

Cila është e vërteta e çështjes së shpërblimit për kualifikimin? Duke qëndruar te parate, Gattuso përshkruhet si i plagosur për iludimet në lidhje me shpërblimet për kualifikimin në botëror që për trajnerin janë spekulime. Gattuso garanton dhe skuadra nuk ishte e fiksuar te paratë në prag të sfidës, e për më tepër shpërblimet dhe bonuset ishin vendosur nga vetë Federata shumë kohë më parë, gjë që e kanë thënë edhe disa lojtarë me indinjatë

Ironia arbitrare; prekja e Dzekos dhe paradoksi i rregullores. Është edhe krenaria për të krijuar një grup solid, hidhërimi për rastet e humbura për të shkuar në 2-0 dhe më pas ironia e rregullores te goli i boshnjakut, ku në fillim pati një prekje të topit me dorë; nëse Donnarumma nuk do të priste gjuajtjen e Dzekos duke nisur një aksion të ri, goli i Tabakovic do të anulohej. Duke u kthyer te ndeshja, Gattuso refuzon kritikat për zëvendësimet; si Kean ashtu dhe Locatelli ishin të lodhur sepse skuadra prej shumë minutash po luante me 10 futbollistë.

Kush i zgjodhi ekzekutuesit e penalltive në Bosnje-Itali? Prapaskena për Pio Esposito. Dhe në fund çështja e ekzekutuesve të penalltive, sidomos zgjedhja për t’ia dhënë penalltinë e parë Pio Esposito. Ashtu siç u konfirmua edhe nga Chivu në konferencë, ishte vetë sulmuesi që u vetëofrua dhe Gattuso dhe stafi preferuan që të mos e kundërshtonin për të mos ndryshuar psikologjinë e një gjuajtësi penalltish në një moment kaq delikat. Fillimisht Esposito ishte caktuar të gjuante penalltinë e tretë.

Top Channel