‘Unë, trajner i Italisë? Jam i përqendruar te Milano dhe këtu dua të qëndroj gjatë’-kështu tha Massimiliano Allegri ne konferencën për shtyp në prag të supersfidës me Napolin kur u pyet për mundësinë e marrjes së drejtimit të përfaqësueses italiane pas Gennaro Gattusos. Një përgjigje negativa akoma më kategorike, dha edhe Gian Piero Gasperini kur iu bë e njëjta pyetje.

Në këtë pikë në garë duket se mbetet Antonio Conte të cilit nuk do t’i vinte aspak keq të tentonte një aventurë të dytë në pankinën e Italisë pas asaj në 2014-2016 dhe një Evropian të mbyllur në çerekfinale me eliminimin me penallti kundër Gjermanisë.

Kontrata e Contes me Napolin skadon në qershor të 2027 dhe raportet e tij me presidentin De Laurentiis janë të mira; në rast lamtumire pas një titulli të fituar që në tentativën e parë, kreu i klubit napoletan nuk do të kundërshtonte largimin e tij, pra nuk do të ketë një Spalletti-bis.

Në garën për presidencën e Federatës Italiane të Futbollit, vetë De Laurentiis u shfaë menjëherë publikisht në favor të Giovanni Malagò: një skenar që mund të hapë rrugën e kalimit të Contes në stolin e përfaqësueses italiane.

Conte në këtë moment mendon për Napolin, por ideja e rikthimit në drejtimin e Kombëtares italiane e ngacmon jo pak. Ndërkaq janë në rënie kuotat për një emër tjetër në garë për këtë post, Roberto Mancinin që e shpalli Italinë kampione të Evropës dhe që gëzon mbështetjen e  Malagò dhe të ministrit Abodi. Më i distancuar është Simone Inzaghi. Në 22 qershor do të mbahen zgjedhjet për pasuesin e Gravinës në drejtim të FIGC dhe do të jetë presidenti i ri ai që do të zgjedhë trajnerin e ri të Italisë.

Top Channel