Arqipeshkvi i Shkodrës uron të gjithë besimtarët katolikë për Pashkët: Paqja qoftë me ju

04/04/2026 11:06

Arqipeshkvi i Shkodrës, Giovani Peragani ka uruar të gjithë besimtarët katolikë për Pashkët.

Me anë të mesazhit të tij, Arqipeshkvi i uron të gjithëve paqe dhe bekim, në një kohë kur bota duket gjithnjë e më e përçarë nga konflikte, tensione dhe dhunë që sipas tij rrezikojnë të na çojnë drejt një pike pa kthim.

“Në zemër të Pashkës, ndërsa Kisha sodit misterin e Ngjalljes së Zotit, përmes këtij mesazhi më lejoni të hyj në shtëpitë tuaja për t’ju sjellë të gjithëve dhuratën që vetë Jezusi i Ngjallur ua dha dishepujve të tij: «Paqja qoftë me ju».

Kjo është një përshëndetje bekimi, një fjalë e thjeshtë, por e gjallë, që dëshiron të arrijë në çdo zemër dhe të bëhet prani konkrete në jetët tona.

Fjalët e të të Ngjallurit, «Paqja qoftë me ju», nuk janë thjesht një urim, por janë dhurata e Pashkës në mënyrën më të plotë: është Paqja që lind nga fitorja e Krishtit mbi mëkatin dhe vdekjen. Është një paqe që asnjë fuqi njerëzore nuk mund ta ndërtojë vetë, dhe që asnjë dhunë nuk do të mund ta shuajë kurrë përfundimisht.

Por, që kjo paqe të bëhet realitet në historinë dhe jetën tonë, ajo kërkon të pranohet, të ruhet dhe të jetohet.

Jetojmë në një kohë kur bota duket gjithnjë e më e përçarë nga konflikte, tensione dhe dhunë që rrezikojnë të na çojnë drejt një pike pa kthim. Edhe këtu, në qytetin tonë të Shkodrës, këto plagë nuk janë larg: ato pasqyrohen në marrëdhëniet e përditshme, në vështirësitë ekonomike, në lodhjen e familjeve, në keqkuptimet që mund të lindin mes fqinjëve, në shqetësimet e të rinjve dhe në vetminë e të moshuarve.

Megjithatë, qytetin tonë mbart në vetvete një histori të pasur me fe, bashkëjetesë dhe tradita të shëndosha, e cila nuk mund të errësohet nga këto hije. Pikërisht brenda kësaj jete konkrete, të përbërë nga drita dhe dobësi, tingëllon fuqishëm thirrja e Pashkës: «Paqja me ju». Le të bëhemi ndërtues të paqes dhe jo spektatorë të dorëzuar, burra dhe gra të aftë për të ruajtur të mirën, për të rindërtuar marrëdhënie, për të mbrojtur me guxim dinjitetin e çdo personi dhe për të bërë që, forca e dashurisë dhe bashkimit të mbizotërojë mbi çdo formë përçarjeje.

Të jesh ndërtues paqeje do të thotë të zgjedhësh çdo ditë të kundërshtosh gjithçka që gjeneron urrejtje, shtypje dhe padrejtësi. Paqja që Krishti na dhuron është e thirrur të marrë formë konkrete në gjestet e thjeshta dhe të përditshme: në faljen e dhënë dhe të marrë, në zgjedhjen për të mos iu përgjigjur së keqes me të keqe, në aftësinë për të dëgjuar, për të pranuar dhe për të respektuar.

Le t’i hapim me guxim dyert, shpesh të mbyllura, të shtëpive dhe të bashkësive tona dhe ta pranojmë dhuratën e të Ngjallurit: «Paqja qoftë me ju».

Vetëm kështu Kisha jonë dhe qyteti ynë do të mund të bëhen shenjë e gjallë shprese, vend ku logjika e paqes dhe e faljes fiton mbi logjikën e dhunës dhe ku jeta e re e të Ngjallurit vazhdon të lulëzojë.

Me këto ndjenja, ju uroj të gjithëve një Pashkë të shenjtë dhe të gëzueshme: «Paqja qoftë me ju»”, është mesazhi i arqipeshkvit të Shkodrës, Giovani Peragine.

Top Channel