Alex Del Piero është një emër shumë i madh në futbollin italian. Ish sulmuesi që ka zhvilluar 95 ndeshje me fanelën e Italisë në 1995-2008 dhe kampion bote në 2006 nuk e ka fshehur hidhërimin dhe frustrimin për atë që ndodhi mbrëmjen e së martës kur Italia për të tretën herë radhazi humbi mundësinë për t’u kualifikuar në kampionatin botëror të futbollit.

Del Piero iu kthye makthit të 31 marsit në Zenica teksa foli në programin ‘Sky Calcio Unplugged’ duke mos i fshehur ndjesitë e tij.

‘Ka shumë ndjesi negative; trishtim, zemërim, zhgënjim…-tha Del Piero-herën e parë ishte një shok, hera e dytë një makth, e treta e turpshme për t’u justifikuar. Pavarësisht kush e ka fajin; Gattuso, Buffon e Gravina, jemi shumë prapa, jo vetëm standardeve tona, por edhe atyre që kanë studiuar e që kanë nisur gjithçka nga e para si Franca apo Gjermania që me kurajo kanë ndërmarrë të tjera rrugë. Edhe pse këtu, sot për sot zgjidhjet duken shumë larg’.

Por cila është receta që ofron Del Piero?

‘Çdokush nga ne duhet të ketë dëshirën për të reaguar dhe për të rinisur gjithçka nga e para, të rihyjë në lojë, të studiojë e të punojë për të zgjidhur gjërat me entuziazëm-shtoi Del Piero

Por lëvizja futbollistike italiane duhet reformuar dhe kjo nuk bëhet vetëm me emërimin e presidentit të ri të Federatës.

‘Besoj te loja në skuadër, nuk duhet të ketë kurban e nuk duhet të presim që një person i vetëm të zgjidhë gjithçka-tha Del Piero-duhet analizuar çfarë nuk shkon te futbolli i meshkujve sepse futbolli i vajzave dhe sportet e tjera po bëjnë gjëra të jashtëzakonshme. Problemet janë te ekipet e moshave, por edhe te stadiumet dhe investimet. Varet nga shumë persona; që nga presidenti e deri te presidentët e klubeve dhe trajnerët’.

Legjenda e Juventusit dhe kombëtares italiane sheh mungesën e një futbolli lokal me pasojë humbjen e territorit e traditës pa harruar këtu përulësinë. ‘Duhet të bëjmë një hap prapa dhe të themi që nuk jemi më më të mirët, madje nuk jemi as të dytët e të tretët-tha Del Piero-duhet lënë krenaria mënjanë, duhet përulësi’.

Për ish yllin e Të Kaltërve është e detyrueshme të mendohet për një afat të mesëm e të gjatë. 

‘Nuk është vetëm çështje parash, duhen projekte me hapa që duhen respektuar-shtoi Del Piero-duhet kohë; falë kohës, Gasperini te Atalanta u bë i pavdekshëm. Ancelotti te Juventusi dukej trajneri më i dobët në botë, por nuk është kështu. Duhet diçka më shumë sesa të shpëtosh lëkurën Futbollistët nuk ndërtohen, por formohen dhe ndihmohen të arrijnë nivelet më ta larta’.

Top Channel