Gennaro Gattuso dhe dinjiteti i lamtumirave të tij; nga Milani te Kombëtarja Italiane, të gjitha precedentët

03/04/2026 15:44

Palmaresi është thuajse bosh, me vetëm një Kupë Italie të fituar me Napolin në 2019-2020. Shumë pak për të hyrë në kategorinë e trajnerëve të mëdhenj, por për këtë ka akoma kohë. Por Gennaro Gattuso është pjesë e një kategorie tjetër prej kohësh; atë të njerëzve me shumë dinjitet. Edhe këtë radhë nuk priti vendimet nga lart. Reflektoi për dy ditë, mori frymë thellë dhe pastaj tha lamtumirë. Dorëheqje, pa pritur shkarkimin. Duket si një detaj i thjeshtë, por nuk është kështu.

Për një trajner ndryshimi mes dorëheqjes dhe shkarkimit është e madhe; kur jep dorëheqjen, pjesën tjetër të pagës ia lë punëdhënësit. Ky është motivi se përse dhënia e dorëheqjes është diçka e rrallë për trajnerët. Historia e kohëve të fundit flet për shumë trajner që marrin 1 apo 2 vjet pushim duke iu gëzuar të njëjtës pagë që merrnin kur ishin në fushë. Gattuso është ndër të paktët që nuk ka dashur të jetë si ata

Në sezonin 2015-15 pranoi të drejtojë Ofi të Kretës edhe pse e dinte që ishte në një gjendje shumë të vështirë financiare. Kur erdhi e kuptoi se situata ishte shumë më keq nga sa kishte menduar. Mes pagave që nuk jepeshin dhe premtimeve të pambajtura, dha dorëheqjen, pas vetëm 7 ditëve kampionat, për të mbyllur përfundimisht raportin në 30 dhjetor duke hequr dorë nga 6 muaj paga. Në verën e 2016, pasi drejtoi Pisan duke e ngjitur në Serie B, la detyrën e trajnerit, por pranoi të kthehej pas zgjidhjes së një krize të thellë të klubit. Në fund të sezonit mbylli raportet pasi klubi ra në Serie C.

Mundësia e jetës së Gattusos erdhi në fund të nëntorit 2017 me telefonatën e drejtuesve të Milanit dhe kalimin te skuadra Primavera të kuqezinjve përpara se të ulej në stolin e skuadrës së parë. Një vit e gjysmë me ulje-ngritje, me një skuadër në fazë rindërtimi. Në fund erdhi zgjidhja konsensuale e kontratës. ‘Nuk është e lehtë të vendosësh të lësh stolin e Milanit, por është një vendim që duhej ta merrja-ishte deklarata e Gattusos në atë kohë-nuk kishte nje moment të caktuar,ishin të 18 muajt si trajner e një skuadre që nuk do të jetë kurrë si ekipet e tjera për mua. Kanë qenë muaj të paharrueshëm që i përjetova me shumë pasion.Zgjedhja ime ishte e vuajtur, por e menduar mirë. Heq dorë nga 2 vjet kontratë? Po. Historia ime me Milanin nuk do të jetë kurrë çështje parash’

Por nuk u ndal këtu, në momentin që do të diskutohej dëmshpërblimi pas zgjidhjes konsensuale të kontratës, ai vendosi të heqë dorë nga pjesa e tij për t’i lejuar kuqezinjtë që t’iu paguanin të 24 pagat mujore anëtarëve të stafit të tij.

Në kategorinë e ‘shkarkimeve’ hyjnë edhe Palermo, Napoli, Olympique Marseille dhe Valencia. Te Fiorentina, aventura nuk nisi fare për shkak të divergjencave me klubin për merkaton. Te Hajduk i Splitit firmosi për 2 vjet dhe drejtoi një skuadër që nuk merrte pagat dhe luante në kushte shumë të vështira. Edhe në atë kohë vendosi zgjidhjen e kontratës pas vetëm 1 sezoni. Me Kombëtaren Italiane kishte një impenjim deri në Botërorin e këtij viti, por nuk u kualifikua. Në këtë rast, heqja dorë nga përfitimi financiar nuk është në qendër të diskutimit sepse nuk do të përfitojë pagën e prillit, majit, qershorit dhe shtesën e mundshme të korrikut, por është çështje principi. Edhe njëherë Gennaro Gattuso ishte i aftë të largohej vetë përpara se të ishin të tjerët që ta merrnin këtë vendim për të.

Top Channel