Federata Italiane në kërkim të presidentit të ri; Malagò ka një pengesë, hidhet hipoteza Albertini e Gravina mbetet protagonist

03/04/2026 11:44

Në 22 qershor do të jenë zgjedhjet për president në Federatën Italiane të Futbollit, por lëvizjet kanë nisur menjëherë në këtë aspekt. Emrat që po qarkullojnë janë disa, por dhe surprizat janë aty pas dere.

Kush mendon se Gabriele Gravina,  do të qëndrojë mënjanë e ka gabim; 72 vjeçari që edhe të enjten mori besimin e shumë komponentëve synon të ndikojë në zgjedhjet për të ardhmen dhe njeriu i tij është pikërisht Giancarlo Abete, që aktualisht është presidenti i Ligës Amatore dhe lëviz 34% të votave.

Një tjetër personalitet i fortë është Giovanni Malago, i mbështetur nga Lega Serie A që shtyn për të pasur një peshë më të madhe në garë. Sipas ‘Corriere Della Sera’, klubet e kategorisë më të lartë të futbollit italian imagjinojnë një revolucion me ish presidentin e CONIT në krye të Federatës me këtë të fundit që do ta merrte me kënaqësi përsiper këtë detyrë. Por Malago duhet të bëjë llogaritë me raportet jo të mira me Ministrin e Sporteve, Andrea Abodi që do të thotë fjalën e tij si anëtar i qeverisë Meloni. Abodit në fakt i pëlqen që në këtë garë të kandidojë edhe një futbollist dhe në këtë pikë duhet patur kujdes me Paolo Maldinin të cilin Abodi e vlerësoi në maksimum.

Dhe duke qëndruar te futbollistët; AIC ka ndërmend të propozojë emrin e Demetrio Albertinit brenda 13 majit, që është afati i fundit i publikimit të kandidaturave. Ish mesfushori që doli i humbur në garën me Tavecchion, pëlqehet edhe nga trajnerët. Por nuk duhen nënvlerësuar as emra të tjerë outsider si Gianni Rivera që e pranoi hapur se ishte gati të kandidonte për postin e presidentit të FIGC, ndryshe nga Matteo Marani. Presidenti i Serie C, një personalitet modern dhe institucional, në këtë fazë është pak më larg, por gati që të hyjë në lojë.

Top Channel