Ajaxi po mendon për një lëvizje të bujshme në pankinë, duke vendosur në krye të listës së dëshirave trajnerin e Manchester City-t, Pep Guardiola.

Sipas raportimeve nga media holandeze, ideja po shtyhet fort nga Jordi Cruyff, i cili e konsideron Guardiolën si kandidatin ideal për të drejtuar skuadrën e Amsterdamit. Madje, pritet që ai të tentojë kontaktin me trajnerin spanjoll, duke u mbështetur edhe në lidhjen e veçantë që ekziston mes familjes Cruyff dhe Guardiolës.

Vetë Guardiola ka pranuar në të kaluarën ndikimin e madh të Johan Cruyff në karrierën e tij, çka e bën këtë ide edhe më intriguese për tifozët e Ajaxit, të cilët do ta konsideronin një transferim të tillë si një “ëndërr të realizuar”.

Megjithatë, realizimi i këtij operacioni duket mjaft i vështirë. Guardiola ka kontratë me Manchester City-n deri në verën e vitit 2027 dhe është një nga trajnerët më të kërkuar në botë. Për më tepër, shumë klube të mëdha mund të ofrojnë kushte financiare shumë më të larta se ato që Ajaxi mund të përballojë. Pavarësisht pengesave, ideja mbetet në tavolinë dhe drejtuesit e klubit holandez po shqyrtojnë çdo mundësi për të realizuar një nga goditjet më të mëdha në historinë e tyre.

Top Channel