Deputeti i Partisë Socialiste, Eron Braçe, në një intervistë për “Top Story” në Top Channel, ka folur për ambicien e tij për kryebashkiak të Tiranës.
Ai theksoi se gjithçka duhet të vijë përmes një procesi të hapur dhe të ndershëm brenda partisë. Sakaq, për Ogerta Manastirliun, ai tha që nëse del ajo nga procesi, atëherë le ta përfaqësojë ajo PS, ndërsa shtoi se nuk merret me individë.
Ai kërkoi një proces real dhe transparent për përzgjedhjen e kandidatit, ndryshe nga ai i mëparshmi që, sipas tij, ishte vetëm formal.
“Nëse ka një proces të lirë dhe të hapur, pa trysni dhe pa ndikim nga presidiumet, patjetër. Lajmin nga mbledhja e asamblesë së njësisë nr. 1 nuk e kam nxjerrë unë. Doja që të mbetej brenda partisë, sepse nuk mendoj se duhet t’i shkaktojmë një traumë PS-së në këtë moment, pasi ka mjaft probleme.
Askush nuk mund të më besojë se jam i pavarur pas 30 vitesh si deputet i PS-së. Unë kërkoj një proces real brenda partisë, ndryshe nga ai i shtatorit të vitit të kaluar, që ishte vetëm një njoftim.
Unë jam socialist. Nëse nga ky proces del një kandidat tjetër, patjetër që duhet të jetë ai/ajo që përfaqëson PS-në, siç është rasti i Manastirliut”, tha ai.
Top Channel