Melania Trump ndihmon ribashkimin e 6 fëmijëve ukrainas me familjet e tyre, SHBA kërkon mbështetje për sigurinë e të miturve

02/04/2026 20:24

Gjashtë fëmijë ukrainas do të rikthehen nga Rusia te familjet e tyre në Ukrainë, njoftoi sot Shtëpia e Bardhë, duke përmendur përpjekjet e Zonjës së Parë të SHBA-së, Melania Trump, për të përshpejtuar procesin.

Një fëmijë i shtatë pritet të bashkohet me familjen më vonë gjatë këtij muaji, sipas deklaratës së Zonjës së Parë.

Ukraina ka raportuar se rreth 20,000 fëmijë janë transferuar ilegalisht në Rusi dhe Bjellorusi që nga fillimi i luftës, ku disa prej tyre janë nënshtruar stërvitjes ushtarake dhe detyruar të luftojnë kundër vendit të tyre.

Melania Trump kishte dërguar një letër Presidentit rus Vladimir Putin në gusht, duke i kërkuar kthimin e fëmijëve të ndarë nga familjet për shkak të luftës. Shtëpia e Bardhë theksoi se kjo është hera e katërt që Zonja e Parë ndërhyn për të ribashkuar fëmijët me të afërmit e tyre.

“Ribashkimi i fëmijëve me të dashurit e tyre në këtë rajon të botës mbetet një nga çështjet më urgjente globale. Jam e inkurajuar që të dyja palët mbeten të përkushtuara për të vazhduar punën për sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve në këtë luftë të tmerrshme”, thuhet në deklaratë.

Një hetim i OKB-së i publikuar muajin e kaluar ka konstatuar se deportimi dhe transferimi i fëmijëve ukrainas nga Rusia pas pushtimit të vitit 2022 përbën krime kundër njerëzimit. Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar urdhër-arreste për Presidentin Putin dhe pesë zyrtarë të tjerë rusë për këtë çështje.

Nga ana tjetër, Moska mohon të ketë marrë fëmijë kundër vullnetit të tyre, duke thënë se largimi nga zonat e luftës është bërë vullnetarisht.

Top Channel