Kapri përplaset me ministrin e Brendshëm: Po terrorizoni të rinjtë me monopatina, para makinave të të fortëve rrini kokulur

02/04/2026 21:05

Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri zhvilloi një seancë pyetje-përgjigje në Kuvend këtë të enjte me ministrin e Brendshëm Besfort Lamallari, lidhur me udhëzimin për ndalimin e qarkullimit me monopatina dhe bllokimin e tyre nga Policia e Shtetit.

Sipas deputetit të Mundësia, edhe pas gjashtë muajsh nga vendimi për bllokimin e mjeteve elektrike, Ministria e Brendshme ende nuk i ka dhënë një zgjidhje kësaj çështje, duke penalizuar qytetarët, të rinj dhe të reja të cilët zgjedhjen për përdorimin e monopatinave e kanë për të ulur kostot, në kushtet kur edhe çmimi i naftës është shumë i lartë.

Sipas Kaprit, ‘Policia e Shtetit dhe Qeveria është duke treguar forcë me më të pamundurit,’ ndërsa tha se ‘para të fortëve dhe atyre me makina të shtrenjta, uniformat blu ulin kokën dhe nuk janë në gjendje të kërkojnë llogari për burimin e të ardhurave për makinat e shtrenjta që përdorin.’

Dilni këtu para Parlamentit, shikoni gjysmë orë rrugën, do kalojnë me dhjetra makina luksoze të të rinjve, të cilët nuk e justifikojnë burimin e të ardhurave. Më thoni sa prej tyre keni ndaluar me Ligjin Antimafia që i keni thirrur në Komisariat dhe i keni kërkuar llogari për burimin e të ardhurave? Asnjë prej tyre. Pra ju tregoheni të zellshëm ndaj të pamundurve. Por ndaj të fortëve rrini kokëulur. Dhe ky nuk është një model që e tregoni vetëm tek të rinjtë e monopatinave, që ende nuk i jepni zgjidhje”, u shpreh Kapri.

Kapri bëri dhe një krahasim kur tha se ‘adoleshentët me monopatina përndiqen nga Policia sikur të ishin spaçatorë kokaine dhe jo të rinj e të reja që shkojnë në punë apo në shkollë me kosto më të ulta për xhepat e tyre dhe të familjeve të tyre’.

Kanë dalë video se si policët gjëmojnë adoleshentët sikur janë spaçatorë kokaine. A është normale kjo? Ndërkohë që me të fortët jeni kokëulur zoti minister”.

Kapri akuzoi Qeverinë se e ka humbur lidhjen me realitetin ku jetojnë çdo ditë shqiptarët, ndërsa kujtoi se projektligji i tij i depozituar 4 muaj më parë për zgjidhjen e çështjes së monopatinave, ende fle në sirtarët e Kuvendit, duke ngritur shqetësimin se po përgatitet një tjetër projekt korruptiv, që do të përfitonte edhe nga mjetet elektrike që përveç se ndihmojnë nga ana ekonomike të rinjtë në këtë vend, janë edhe mjaft miqësore me mjedisin.

Kam 4 muaj që kam sjellë nismën ligjore në Parlament dhe heshtni sepse mesa duket po përgatitet një tjetër projekt për oligarkun e radhës se si ta kapë këtë treg në rritje”, tha Kapri.

Top Channel