Teatri Kombëtar synon të zgjerojë audiencën përtej kufijve përmes projektit SEEDS, të financuar nga Bashkimi Europian, që ka për qëllim forcimin e sektorit kulturor dhe bashkëpunimin rajonal.
“Projekti synon krijimin e kushteve optimale që ne të fillojmë të bashkëpunojmë, të krijojmë një rrjet rajonal të Adriatikut të Jugut dhe gjithashtu edhe Ballkanit. Për të krijuar mundësi bashkëpunimi ekonomik dhe artistik mes teatrove tona”, u shpreh drejtor i Teatrit Kombëtar, Indrit Çobani.
Me këtë projekt dy vjeçar, që aktualisht është në fazën e parë të aplikimit, Teatri kërkon fuqizimin kulturor dhe ekonomik, duke hapur dyert për bashkëpunime dhe duke shpërndarë eventet artistike në qytete të ndryshme të Shqipërisë e më gjerë.
“Kemi vite që punojmë për të hyrë në një projekt të tillë dhe më në fund ia dolëm. Qëllimi kryesor i projektit është rijetëzimi, krijimi i një rrjeti të teatrove, jo vetëm në Ballkan, por duke përfshirë edhe Adriatikun e Jugut. Duam të krijojmë një model të ri të një bashkëproduksioni dhe shpërndarjeje të këtyre prodhimeve”, tha menaxheri i projektit, Vasil Jorgji.
Projekti SEEDS që zbatohet nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Teatri Kombëtar, Teatri Publik i Puglias, Federata Malazeze e Punëdhënësve dhe Komuna Agnone pritet të adresojë sfidat e ndërlidhjes të kulturës me sipërmarrjen dhe ekonominë kreative, me fokus mbështetja për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe trajnimin profesional.
Top Channel