Gjermania mund Ganën me vështirësive në miqësoren e rradhës përpara Botërorit

31/03/2026 01:22

Gjermania siguroi një fitore dramatike 2-1 në miqësoren përballë Ganës, falë një goli në minutat e fundit nga Deniz Undav. Ndeshja nisi me raste të shumta për gjermanët.

Që në minutën e 6-të, Florian Wirtz goditi shtyllën nga një goditje dënimi, ndërsa më pas pa edhe një gol të anuluar për pozicion jashtë loje. Goli i avantazhit erdhi në fundin e pjesës së parë, kur Kai Havertz realizoi nga pika e bardhë në minutën 45+3’, pasi VAR-i akordoi penallti për prekje me dorë në zonë.

Në pjesën e dytë, Gjermania ishte sërish pranë golit të dytë, por Nick Woltemade goditi traversën me kokë. Nga ana tjetër, Gana reagoi dhe barazoi në minutën e 70-të me një goditje të bukur nga distanca të Issahaku Fatawu. Pak më vonë, Jordan Ayew goditi shtyllën, duke qenë shumë pranë përmbysjes.

Kur gjithçka po shkonte drejt barazimit, erdhi momenti vendimtar. Në minutën e 88-të, Undav përfitoi nga një pasim i saktë në zonë dhe mposhti portierin me një goditje në këndin e sipërm, duke vulosur fitoren 2-1 për Gjermaninë.

Një sukses i vuajtur, por i merituar për gjermanët, në një ndeshje plot ritëm dhe raste nga të dyja skuadrat.

Top Channel