Aksion për lirimin e hapësirave publike në Tiranë, “në lupë” mbi 60 subjekte

31/03/2026 10:18

Nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, Blendi Sulaj, ka ndjekur gjatë ditës së sotme vijimin e një aksioni të madh për të kontrolluar mbi 60 subjekte për respektimin e hapësirave publike.

Gjatë fjalës së mbajtur përpara nisjes së aksionit, Nënkryetari Sulaj u shpreh se disa sheshe në Tiranë janë zënë plotësisht, si dhe vlerësoi Policinë Bashkiake po bën një punë shumë të mirë në evidentimin dhe në ndërhyrjen për t’i risjell këto zona në shërbim të qytetarëve.

“Ne do të nisim një aksion në të gjithë territorin e qytetit të Tiranës me objektivin kryesor për të liruar ato hapësira publike ndaj atyre bizneseve apo subjekteve të cilat kanë abuzuar me këto hapësira. Kemi listuar rreth 60 subjekte të cilat me përkushtimin tuaj sot këto hapësira publike të cilat u janë zënë qytetarëve do t’i kthehen prapë këtyre qytetarëve të qytetit të Tiranës. Do të doja shumë nga ana juaj vetëm për korrektësi, sjellje të mirë me qytetarët, sjellje të mirëkuptueshme me biznesin, por zbatim rigoroz të ligjit dhe lirim të hapësirës publike me çdo kusht”, tha Sulaj.

Ndërkohë drejtoresha e Policisë Bashkiake të Tiranës, Elona Lalaj, theksoi se nuk do të ketë asnjë tolerim për bizneset që zënë hapësirat publike, ndaj u kërkoi që të zbatojnë ligjin.

“Sot nuk ka më tolerim për asnjë biznes, qoftë për tejkalimin për të cilat ata bëjnë, qoftë edhe për reduktimin, për të cilat ne kemi rakorduar me Drejtorinë Vendore të Taksave për sa i përket këtyre hapësirave. Kështu që nga gjithsecili prej jush dua korrektësi, dua zbatim rigoroz të ligjit, koha është tani, dua që këto hapësira t’i kalojmë në funksion të qytetarit”, u shpreh Lalaj në mesazhin e drejtuar punonjësve të Policisë Bashkiake përpara nisjes së aksionit.

FOTO GALERI
2/7

Top Channel