Bosnja do të presë Italinë në finalen e playoffit të Botërorit 2026 me skuadrën ballkanase që do të kërkojë të kthehet në fazën finale të një kupe bote pas 12 vitesh.

Edin Dzeko ka folur në lidhje me këtë përballje për të cilën nuk kanë munguar polemikat, siç ishte ajo për festimin e disa futbollistëve italianë për fitoren e Bosnjes.

‘Festa e Di Marcos? Sinqerisht, ishte diçka shumë normale. Folëm, më bëri komplimenta dhe më tha se nuk donte të fyente askënd. Unë iu përgjigja se nuk kishte probleme dhe se askush nuk e mori për keq. Të gjithë kemi preferenca. Ndoshta preferenca ime ishte të mos luaja kundër Italisë; nuk mund të festoj sepse luaj kundër saj. Tani me rrjetet sociale duhet trguar shumë kujdes; edhe gjërat më normale si kjo, amplifikohen. Nuk donin të luanin në Uells, nuk e di pse. Ne shkuam atje pa frikë dhe fituam. Nuk e di pse ata duhet të kenë frikë nga Bosnja apo Uellsi. Italia është një skuadër e jashtëzakonshme, ka fituar 4 tituj botërorë. Nëse ke frikë të luash në Uells, diçka nuk funksionon…’-tha Edin Dzeko

Lideri i Bosnjes e vë theksin te presioni që bie mbi Italinë.

‘Ndoshta duhet ta shohim edhe ne në këtë mënyrë; pas dy botërorëve të humbur, për ata ka shumë në lojë dhe mund të vuajnë në aspektin mental-shtoi Dzeko-kanë frikë, por jam i sigurt se sidomos pas fjalëve të Dimarcos dhe Vicarios, nuk do të na nënvlerësojnë’

Por edhe faktori ambiental nuk duhet nënvlerësuar; që nga stadiumi te tifozët boshnjake.

‘Të luash në stadiume të mëdha me shumë tifozë është një privilegj-tha Dzeko-stadiumi Zenica të kujton shumë një stadium të vogël italian, për këtë arsye mendoj se Italia nuk do të ketë probleme. Afeksioni ndaj meje në vendin tim? Do të thotë se kam dhënë diçka. Gjithnjë kam thënë se është një nder për mua të luaj për kombëtaren dhe përsa kohë do të mundem dhe përsa kohë trajneri do të më dojë, do të jem gjithnjë këtu’

Dzeko, që ka pseudonimin ‘Mjellma e Sarajevos’, e njeh në perfeksion skuadrën italiane.

‘Kam jetuar në Itali për 9 vjet, është thuajse shtëpia ime e dytë, kam shumë miq-tregon Dzeko-para dhe pas ndeshjes do të ketë shumë respekt, por për 90 minuta do të ketë ‘luftë’. Me disa prej tyre kam luajtur te Interi, Roma dhe Fiorentina. E njohim mirë njëri-tjetrin. Në krahasim me të kaluarën, te Italia mungojnë lojtarë të tipit Totti apo Del Piero. Edhe tani ka kualitete, por ata të dikurshimit ishin një tjetër nivel’.

Top Channel