Formula 1/Vendosi rekordin si piloti më i ri që merr kreun, Antonelli: Është herët të mendoj për titullin
Andrea Kimi Antonelli fiton sërish. Piloti italian, pas garës në Kinë triumfon edhe në Çmimin e Madh të Japonisë duke shkruar një tjetër faqe të historisë së këtij kampionati teksa u bë i pari pilot që fiton 2 gara radhazi nën moshën 20 vjeç.
Italiani i Mercedes e nisi garën nga pole position, por starti i tij i garës ishte për t’u harruar pasi e pa veten të zbriste në vendin e 6, ndërsa në krye ishte Piastri i ndjekur nga Leclerc dhe Norris. Në këtë pikë për Mercedes nis një punë e madhe për fitimin e pozicioneve, të dyja makinat janë shumë të shpejta por e panë veten të bllokura nga trafiku.
Gjithsesi parakalimet ndaj makinave Ferrari u kryen, por Russell mbeti i bllokuar nga Piastri, ndërsa Norris mbante prapa Antonelli. Parakalime dhe kundërparakalime për vendin e dytë, por australiani rezistonte, ndërsa nga pas Leclerc mbante pas Norris.
Në xhiron e 15 Antonelli parakaloi si Norris ashtu edhe Leclerc dhe ishte më i shpejti në pistë. Duhej një ndihmë nga jashtë që Antonelli të merrte kreun dhe ajo erdhi nga Safety Car që u aktivizua pas një incidenti të Bearman, Russell hyri në bokse dhe Antonelli përfitoi dhe mori kryesimin.
Në momentin e ristartit të garës, Kimi Antonelli arriti të menaxhojë mjaft mirë pozicionin e tij, madje xhiro pas xhiros e rriti distancën me kundërshtarët duke kaluar në fund i pari vijën e finishit duke lënë pas tij Oscar Piastrin që u rikthye në podium pas dy tërheqjeve radhazi, ndërsa në vendin e tretë u pozicionua Leclerc me Ferrarin pas një dueli me Russell në çastet e fundit me britanikun që u rendit i katërti duke lënë pas Lando Norris dhe Lewis Hamilton në vendin e 5 dhe të 6.
Në zonën e pikëve hynë edhe Gasly, Verstappen, Laëson dhe Ocon të pozicionuar në vendin e 7, 8, 9 dhe 10. Pas Çmimit të Madh të Japoniusë ndryshon dhe klasifikimi i përgjithshëm pasi tani në krye është Kimi Antonelli me 72 pikë duke vendosur edhe këtu një rekord të ri, pasi bëhet piloti më i ri në historinë e Formula 1 që merr kreun e renditjes për pilotë. Në vendin e dytë është piloti tjetër i Mercedes, George Russell me 61 pikë, ndërsa në të tretin është Leclerc me 49 pikë.
Top Channel