Situata pas luftës në Lindjen e Mesme, Rama: Shteti do ndikojë në çmimin e naftës, do sigurojmë edhe rezerva Gjatë një interviste për gazetaren e Top Channel Anila Hoxha, Avokati i Popullit Endrit Shabani ka paralajmëruar se do kërkojë inspektime pranë institucioneve të drejtësisë për gjyqtarët dhe prokurorët që zvarrisin çështjet.
Nga ana tjetër Shabani deklaroi se pas protestave i është kërkuar policisë të informojë Avokatin e Popullit se cili është protokolli që ka ndjekur në protesta për përdorimin e gazit dhe ujit por policia ende nuk është përgjigjur.
Intervista e plotë:
Anila Hoxha: Zoti Shabani gjatë takimit që patët në Gjykatën e Strasburgut ju ngritët shqetësimin për tejzgjatje të proceseve në Shqipëri dhe për një faturë afro 40 milionë euro të proceseve gjatë 10 viteve. Ju pretendoni një avokat populli aktiv dhe jo thjesht vëzhgues, si mund të funksionojë kjo? Dhe për çfarë ankohen qytetarët Shqiptarë tek Avokati i Popullit?
Endrit Shabani Avokat i Popullit: Çështja e pronave është e para që ankohen. Edhe një çështje tjetër problem është zvarritjet e gjyqeve. Ne përpiqemi të vendosim bashkëpunim me ILD, KLP dhe KLGJ që ata gjyqtarë të cilët përtej arsyeve objektive abuzojnë me pushtetin e tyre duke mos zbardhur vendimet, që ata të mos promovohen në mënyrë që shqiptarët atë të drejtë që u jep kushtetuta ta gëzojnë. E dyta, ankohen për pensionet dhe ndihmën ekonomike, skemën e strehimit dhe bonusin e qerasë. Në një nga ankesat kryesore që qytetarët kanë është e drejta e pronës dhe kjo është fatkeqësi që edhe pas 36 vitesh nuk e gëzojnë të drejtën e pronës.
Në disa raste shkojnë në Strasburg për të gjetur të drejtën e pronës, ndaj roli i Avokatit të Popullit të jetë në mbrojtje të qytetarëve.
Në disa raste këto vendime të Strasburgut që janë në avantazh të qytetarëve nuk zbatohen dhe ndaj ne mund të luajmë një rol për të monitoruar për zbatimin e vendimeve të Strasburgut dhe e dyta për të raportuar
Anila Hoxha: Meqë jemi tek paraburgimi, Avokati i Popullit monitoron edhe institucionin penitenciar, cili është raporti midis të paraburgosurve dhe të burgosurve?
Endrit Shabani Avokat i Popullit: Një nga shqetësimet që ka ngritur KE edhe kur ishim në vizitë të Strasburg por edhe misionet që kanë ardhur në Shqipëri, është që ne kemi një raport shumë të lartë të të paraburgosurve në raport me të burgosurit.
Që do të thotë nga 100 njerëz në burg, 60 prej tyre qëndrojnë aty pa një vendim të formës së prerë që do të thotë mund të jenë të fajshëm, por mund të jenë edhe të pafajshëm, por ne këtë nuk e dimë. Kjo tregon se nuk kemi të bëjmë me një apo dy por me një gabim sistemi.
Vëmendja shkon përherë tek SPAK tek ai 5 përqind që adreson për krim të organizuar po politikanë të nivelit të lartë. Por harrojmë prokuroritë e rretheve dhe të ultat që merren në përditshmëri e qytetarëve po çojnë në burg njerëz që nesër mund të dalin të pafajshëm. Kjo ka një kosto sociale, ekonomike dhe vazhdimësi të mentalitetit represiv që në Shqipëri e kemi vuajtur. Kjo është beteja kryesore për të drejtat e njeriut. Nëse një shtetas shkon në burg të shkojë se ka një vendim të formës së prerë dhe nuk shkon se një prokuror e ka më kollaj ta çojë në burg dhe pastaj ta hetoj.
Anila Hoxha: Avokati i Popullit ka publikuar raportin paraprak për protestën më të fundit ku ngrihet shqetësimi për protokollet e ndjekura. Për çfarë bëhet fjalë konkretisht?
Endrit Shabani Avokat i Popullit: Ne përpiqemi të garantojmë të drejtën e protestës në Shqipëri dhe padyshim që nuk inkurajojmë protestat e dhunshme të cilat as nuk i bëjnë nder shoqërisë as nuk ndihmojnë në rendin publik.
Por fokusi ynë është puna e policisë dhe në këtë pikë kemi patur një komunikim të vazhdueshëm me policinë dhe më pas i publikojmë raportet. Një nga problematikat është mungesa e transparencës për protokollin e përdorimit të gazit lotsjellës apo ujit me presion. Na duhet ta dimë që ta gjykojmë se kush e merr vendimin për përdorimin e këtyre mjeteve, e dyta është për proporcionalitetin dhe e treta domosdoshmërira. Të treja këto kushte që të garantohen duhet të shohim protokollin. Sot e kësaj dite ne nuk e disponojmë informacionin, kemi bërë disa përpjekje për t’i marrë nga policia e shtetit dhe nuk i kemi marrë ende.
Anila Hoxha: Përse nuk është përgjigjur Policia e Shtetit?
Endrit Shabani Avokat i Popullit: Mendoj që mund të ketë qenë një dështim i policisë, shpresoj që drejtuesi që do vijë do ta kthejë në një prioritet. Këtu flasim për shtet ligjor, të drejtat e njeriut, edhe kur një qytetar shkel ligjin ai duhet të trajtohet me dinjitet, dhe dhuna nga policia duhet përdorur kur është e domosdoshme, kur është proporcionale dhe kur rreziku është real.
Top Channel