Situata pas luftës në Lindjen e Mesme, Rama: Shteti do ndikojë në çmimin e naftës, do sigurojmë edhe rezerva

28/03/2026 18:18

Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë këtë pasdite në Asamblenë e Partisë Socialiste, në Njësinë 2, Tiranë.

Gjatë fjalës së tij, Rama paralajmëroi për ndikim të shtetit në çmimin e naftës dhe sigurimin e rezervave.

“Shteti duhet të garantojë rezervat për çdo rast, e dyta të ndikojë në çmimin e naftës duke e sjellë atë në parametra të arsyeshëm, sepse shpesh herë nuk është. Po ashtu ne po përgatitemi të fusim në treguan e naftës disa risi teknologjike”, tha Rama.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Me naftën kemi hyrë në veprim dhe, siç e keni parë me bordin e transparencës, kemi filluar ta diktojmë çmimin. Por, në ndërkohë, jemi duke u përgatitur për një ndryshim të madh, të cilit përsëri duhet t’i vinte koha, sepse nuk mund të bëhej thjesht sepse ne donim ta bënim. Po duhet të krijosh disa kushte që të futet edhe shteti në këtë treg dhe shteti, duke u futur, e para, të garantojë rezervat për çdo rast, sepse bota është shumë e madhe dhe gjithmonë e më shpesh po rrotullohet në drejtimin e gabuar. E dyta, të ndikojë në çmimin e naftës, duke e sjellë atë në parametra të arsyeshëm, sepse shpeshherë nuk është në parametra të arsyeshëm. Dhe po ashtu, ne po përgatitemi jo vetëm që të futemi në atë treg me një komponent shtetëror, por edhe që të fusim në tregun e naftës disa risi, që kanë të bëjnë me kapacitetet e reja teknologjike, qoftë në markimin e naftës, e cila edhe pak del produkti i parë i kompanisë publike që ne e kemi krijuar së bashku me partnerët tanë, Emiratet e Bashkuara, për të markuar naftën, duke e bërë të pamundur shmangien nga detyrimet fiskale si rezultat i pikërisht markuesit të ri. Sepse markuesi i vjetër që ne gjetëm nga ai koncesioni famëkeq i paraardhësve ishte një bojë që lehtësisht mund të manipulohej dhe, nga ana tjetër, duke garantuar ndjekjen e të gjithë naftës tranzit, e cila është një nga burimet e kontrabandës. Të gjitha këto, ne besojmë shumë që do të rrisin të ardhurat në buxhetin e shtetit, por mbi të gjitha do të garantojnë, qoftë cilësinë për konsumatorët, qoftë një çmim më të arsyeshëm të naftës.

Dhe mund të zgjatem plot me të tjera e të tjera që kanë të bëjnë me investimet.

Ne kemi nisur me 2 milionë turistë dhe si turistë numëroheshim edhe ne kur hynim e dilnim nga Shqipëria. Ndërkohë që ne nuk numërojmë më pasaportat shqiptare për turistë, nuk i quajmë turistë shqiptarët që hyjnë e dalin. Natyrisht, ata shqiptarë që kanë pasaporta të huaja në gjithë botën, është e njëjta mënyrë se si matet dhe ata numërohen si vizitorë që vijnë në vend. Por, duke numëruar edhe ne, ishim 2 milionë turistë dhe kishim 300-400 milionë investime të huaja në vit. Kemi arritur në 12 milionë turistë dhe në mbi 1.5 miliardë investime të huaja në vit. Kjo është domethënëse, sepse kjo lidhet drejtpërdrejt me çfarë i vjen vendit dhe si rritet vendi.

Patjetër që jemi të vetëdijshëm për nevojën që të kemi një kapacitet të ri në tregun e banesave, jo thjesht sepse nuk është më çështja te personat në nevojë, te familjet në nevojë, pra jo thjesht strehimi social, por ai që quhet strehimi i përballueshëm. Pra, nuk flasim vetëm për njerëz që janë të vobektë dhe që shteti përpiqet t’u sigurojë mundësinë e një strehimi, gjë që e kemi bërë sipas mundësive në të gjithë territorin, por flasim tani edhe për njerëz që kanë një familje të re dhe që duan të kenë një apartament dhe e kanë absolutisht të pamundur që ta blejnë. Kjo është e vërteta e kohës së sotme, jo vetëm në Shqipëri, dhe ne po bëjmë një program për këtë.

Po ashtu, kemi filluar me kreditë për punonjësit e policisë, për mësuesit, për mjekët dhe infermierët, kredi që garantohen nga shteti për të marrë shtëpi. Janë hapat e parë, por janë hapa që tregojnë se po krijojmë mundësitë.

Do të fillojmë një program të ri, që quhet “dyfisho ndërmarrjen tënde”, i cili do të mbështesë me kredi të garantuara nga shteti të gjithë ata që kanë një biznes të vogël dhe që kanë një plan të besueshëm për të arritur, që kanë një ndërmarrje të vogël dhe të mesme dhe që kanë një plan për të arritur, por që u duhet financim, edhe këtë do ta lançojmë së shpejti.

Ashtu sikundër kemi lançuar Paketën e Maleve, e cila vlen për të gjithë ata të cilët kanë një tokë, kanë një shtëpi të vjetër jashtë qytetit, në fshat, dhe që duan ta kthejnë në një agroturizëm, në një bujtinë, apo duan të bëjnë një fermë, e kështu me radhë.

Dhe ajo po ecën, kemi shumë aplikime dhe kemi vendosur një normë, një objektiv që të gjithë ata kryetarë bashkish që duan të rikandidojnë, nuk mund të rikandidojnë, edhe sikur të kenë bërë mrekullira, nëse nuk i kanë vënë në rrugë me firmë dhe me vulë, jo me llafe, 10 kontrata nga paketa e maleve minimumi, 10 kontrata, 10 investime të tilla. Për 55 bashki që kemi ne, nuk janë pak dhe pastaj, në momentin që do të hapet kjo rrugë, të tjerat do të vijnë më lehtë.

Tani, për të gjitha këto, ju dëgjoni edhe gjëra të tjera. Ju dëgjoni, për shembull, që kjo paketë e maleve është bërë për oligarkët. Ndërkohë që, e para njëherë, në Shqipëri nuk ka oligarkë; fjala “oligark” është zgjedhur nga ata që ju ka mbetur si vragë në tru fjala “kulak” dhe, duke e ditur që kanë ndryshuar kohët dhe nuk thonë dot “kulak” kur duan të shajnë dhe të mallkojnë e të baltosin një njeri që është i pasur dhe që është një subjekt në ekonomi, i thonë “oligark”. “Oligarku” është diçka krejt tjetër, nuk ka lidhje me thjesht faktin që ti je në krye të një kompanie apo të një subjekti ekonomik që ke të ardhura të larta. Sepse, nëse do ishte kështu, atëherë ne do duhej të riktheheshim te dita kur kemi bërë zgjedhjen për të kaluar në një sistem tjetër. Ata njerëz janë njerëz që kanë mbrapa mijëra e mijëra familje të punësuara e të tjera e të tjera, por përtej kësaj, paketa e maleve është totalisht e kundërt, lidhet drejtpërdrejt me njerëzit të cilët kanë një pronë të trashëguar dhe nuk e zhvillojnë dot, sepse nuk kanë titullin e pronësisë.

Pse nuk e kanë? Sepse në shumë pjesë të territorit nuk është njohur 7501-shi; në disa pjesë të tjera titulli i pronësisë nuk është i qartë, etj., etj., dhe këta njerëz mund ta zhvillojnë pronën duke iu drejtuar bashkisë dhe bashkia, përmes këshillit bashkiak, bën shpalljen e atyre sipërfaqeve të pretenduara nga këta individë dhe shikon nëse fqinjët rreth e rrotull kanë pretendime për atë tokë. Dhe nëse fqinjët rreth e rrotull nuk kanë pretendim për atë tokë, sepse këto janë situata të qarta mes fqinjësh, atëherë procedohet; nëse ka pretendime për atë tokë, nuk procedohet. Kaq e thjeshtë është kjo. Ndërkohë që, për pjesën tjetër, aty ku titujt janë të qartë, është thjesht e vetëm çështje e vetë pronarit, pra e personit që ka tokën. Dhe çfarë përfiton ky në këtë rast? Përfiton një procedurë shumë të shpejtë dhe pastaj mund të përfitojë edhe mbështetje financiare për investimin, në rast se drejtohet te mekanizmat e tjerë.

Ne jemi në mandatin e katërt, që do të thotë që shumë gjëra nuk janë siç kanë qenë, edhe sepse unë mund ta dëshmoj vetë që, së brendshmi, procedurat, proceset e brendshme, mënyra si përgatiten gjërat, etj., kanë ndryshuar jashtëzakonisht shumë; janë përmirësuar jashtëzakonisht shumë.

E njëjta gjë është me prokurimet dhe për prokurimet nuk e them unë, e thotë Bashkimi Europian. Ne kemi kaluar nga të fundit te të parët në rajon për cilësinë e prokurimeve publike. Do thoni ju që: po mirë, rajoni ynë nuk është Gjermania dhe Austria. Jo, nuk është, dhe unë jam dakord, por në rajon të jemi të parët për prokurimet publike.

Shërbimet po ashtu, ju e dini më mirë se unë,   në ndërkohë që është e sigurt që e-Albania ka ndryshuar jetën e njerëzve. Kjo është e sigurt, ky është fakt dhe kemi akoma shumë gjëra të tjera që i kemi në proces për t’i përmirësuar akoma më shumë ato shërbime.

Mund të zgjatem pa fund, por nuk do të zgjatem më tutje. I thashë të gjitha këto për të ilustruar atë që thashë në fillim: është shumë e rëndësishme që, në këtë proces, ku do të bëjmë edhe zgjedhjet e kryetarëve të organizatave, ripërtëritjen e organizatës, etj., etj., të mos bëjmë diçka formale, por të bëjmë diçka që është tamam si një bisedë në shtëpi.

Shpresoj që ta bëjmë mirë këtë punë sot, sepse ju e dini shumë mirë që e kemi mësuar këtë gjë: kur përgatitemi mirë dhe në kohë, dalim shumë mirë në rezultat; kur i lëmë ca gjëra zvarrë, ato nuk rikuperohen më, sepse nuk të lë koha, sepse nuk ke kohë pastaj për t’i rikuperuar.

 

 

Top Channel