Këtë të shtunë në orën 11:00, kryeministri Edi Rama zhvillon një mbledhje të zgjeruar me qeverinë dhe grupin parlamentar.

Fokusi i mbledhjes së socialistëve, që do të zhvillohet te Pallati i Kongreseve, pritet të jetë Kadastra dhe Reforma Territoriale.

Top Channel mëson se në mbledhjen e zgjeruar do të flasë drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, kryetari i Komisionit të Reformës Territoriale, Arbjan Mazniku, dhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili.

Kjo është mbledhja e parë e përbashkët e qeverisë dhe grupit parlamentar, pas Asamblesë Kombëtare Socialiste, të shtunën e kaluar në Durrës, ku kryeministri Edi Rama njoftoi një sërë ndryshimesh, që prekën drejtuesit politikë të gjashtë qarqeve, në kuadër të zgjedhjeve lokale të 2027-ës.

Përveç angazhimit të ministrave të rinj në disa qarqe, Rama fuqizoi Tiranën me dy bashkëdrejtues, ku krah Ogerta Manastirliut u caktua edhe Taulant Balla, ndërsa u hoq nga drejtimi i kryeqytetit Elisa Spiropali, të cilës iu la vetëm drejtimi i Njësisë 13.
Në agjendën zyrtare të takimit të përbashkët të qeverisë me grupin parlamentar nuk parashikohet të diskutohet mungesa e Spiropalit në seancën plenare për votimin e imunitetit të Ballukut, siç e ka paralajmëruar kryetari i grupit parlamentar, Taulant Balla. Pas deklaratës së Ballës, reagoi dhe ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, e cila kërkoi që çështja të konsultohej sa më shpejt nga grupi socialist.

Top Channel