Juventusi nis punën nga merkato, bardhezinjtë kërkojnë yllin e Manchester Cityt

28/03/2026 13:42

Bernardo Silva pritet të largohet nga Manchester City në fund të sezonit, kur kontrata e tij aktuale të përfundojë, duke u kthyer në një nga emrat më të kërkuar në tregun e transferimeve si lojtar i lirë.

Mes klubeve të interesuara spikat Juventusi, i cili synon të përforcojë mesfushën e drejtuar nga Luciano Spalletti me një profil të lartë ndërkombëtar si ai i portugezit.

Vetë Silva ka lënë të kuptohet se vendimi për largimin lidhet më shumë me stilin e jetesës sesa me aspektin sportiv. “Gjithmonë bëj shaka se nëse Manchester do të ishte më në jug të Evropës, do të qëndroja këtu përgjithmonë, sepse e dua këtë ekip. Por kultura angleze dhe ajo portugeze janë të ndryshme, ashtu si edhe ushqimi dhe stili i jetës”, u shpreh ai.

Mesfushori pranoi se shpesh nuk është ndjerë plotësisht i lumtur në Manchester për arsye kulturore, duke shtuar se Italia do të ishte një destinacion më i përshtatshëm për të. “Ndonjëherë nuk jam i lumtur në Manchester, jo për shkak të klubit, por për gjithçka tjetër përreth. Kam menduar të largohem edhe më parë”, tha ai.

Megjithatë, Silva theksoi se qëndrimi te City i ka sjellë suksese të mëdha, përfshirë fitimin e Tripletës dhe katër titujve radhazi në Premier League, si dhe rolin e kapitenit të skuadrës.

Në përfundim, 31-vjeçari la të hapur mundësinë e një transferimi në një qytet me stil jetese më të afërt me vendlindjen e tij: “Nëse Manchester City do të ishte në Lisbonë, do të qëndroja deri në moshën 40 vjeç”.

Me këtë deklaratë, e ardhmja e tij duket gjithnjë e më larg Anglisë, ndërsa Juventusi mbetet një nga kandidatët kryesorë për të siguruar shërbimet e tij.

Top Channel