Hakan Calhanoglu për një moment ndezi sirenat e alarmit te Interi. Mesfushori turk u zëvendësua në minutat e fundit të ndeshjes me Rumaninë e fituar nga skuadra e tij me rezultatin e ngushtë 1-0 teksa u pa të prekte me dorë pulpën e këmbës së majtë.

Megjithatë këto sirena alarmi u shuan menjëherë pasi Calhanoglu nuk ka pësuar asnjë dëmtim muskular.

Turqia do të kthehet sërish në fushën e lojës në 31 mars ku do të përballet me Kosovën për një vend për në fazën finale të Kupës së Botës dhe Calhanoglu do të jetë rregullisht në dispozicion të trajnerit Vincenzo Montella.

Pas përfundimit të ndeshjes, Calhanoglu foli për median turke për gjendjen e tij në ndeshjen me Rumaninë, por pa folur për arsyet e zëvendësimit të tij. ‘Ka kaluar 1 muaj e gjysmë që nga dëmtimi im i fundit dhe morali im psikologjikisht ishte pak i ulët-tha Calhanoglu-problemet e vazhdueshme fizike ndikuan në gjendjen time psikologjike, por u përpoqa të qëndroj i fortë. Luajta kundër Juventusit, por pata një fryrje. U ktheva dhe u dëmtova sërish. U përpoqa të mbaj moralin e lartë për këtë ndeshje, kam punuar shumë. Interi dhe Chivu më kanë ndihmuar shumë, i falënderoj. Sot gjëja më e rëndësishme ishte të ruanim ekuilibrin në kundërsulm. Sulmuam të gjithë së bashku dhe u përpoqëm të ishim kompaktë. Ia dolëm. Tani na mbetet finalja, nëse Zoti do, do t’ia dalim mbanë. Kjo skuadër ka shumë karakter. Do të pushojmë dhe do të përgatitemi në mënyrën më të mirë të mundshme’.

Top Channel