Play off-i Interkontinental/ Një hap larg Botërorit 2026, Bolivia dhe Xhamajka avancojnë drejt finaleve (Video)
Mbrëmja e 26 marsit dha të gjitha verdiktet e gjysmëfinaleve të raundit të playoffit teksa janë përcaktuar skuadrat që siguruan finalet për të diskutuar vendin e tyre në fazën finale të Botërorit të SHBA, Kanadasë dhe Meksikës.
UELLS-BOSNJE 2-4(pas penalltive), 1-1( koha e rregullt dhe shtesa)
Do të jetë Bosnje Hercegovina ajo që do të përballet me Italinë në finalen për një biletë në botërorin e kësaj vere. Edin Dzeko me shokë triumfuan pas gjuajtjes së penalltive duke shkaktuar edhe surprizën në këtë raund të gjysmëfinaleve të playoffit. Në pjesën e parë dominuan vendasit që goditën edhe shtyllën me ëilson. Në fillimin e pjesës së dytë, Uellsi mori avantazhin me Daniel James. U duk se uellsianët po shkonin drejt triumfit, por në minutën e 86, Edin Dzeko shënoi golin e barazimit në 1-1 me skuadrat që iu drejtuan kohës shtesë. Gjatë fraksionit prej 30 minuta Uellsi pati shansin e artë për të mbyllur llogaritë teksa në minutën e 124 Brennan Johnson, bëri një gabim të madh duke mos shënuar dot nga shumë pranë portës dhe kështu skuadrat iu drejtuan gjuajtjeve të penalltive dhe këtu boshnjakët rezultuan më të saktë dhe do të jenë përballë Italisë për një vend në fazën finale të Botërorit 2026.
UKRAINË-SUEDI 1-3
E fundit në grupin kualifikues, por në finalen e playoffit të Botërorit. Suedia ëndërron një kualifikim të papritur dhe do të sfidojë pikërisht Poloninë që eliminoi Kombëtaren shqiptare, pasi mundi Ukrainën me rezultatin 3-1. Ishte një ndeshje pa histori dhe kjo për meritë të Gyokeres që zhbllokoi rezultatin që në minutën e 6. Skandinavët humbën Hien për shkak dëmtimi, por nuk u turbulluan dhe vijuan të sulmonin një Ukrainë që e kishte të vështirë të mbrohej. Në pjesën e dytë Suedia e gjeti sërish golin, edhe këtë radhë me Gyokeres i cili plotësoi tregolëshin personal në minutën e 72 duke i mbyllur llogaritë e sfidës teksa e çoi rezultatin në 3-0. Goli i shënuar nga Ponomarenko në minutën e 90 shërbeu vetëm si statistikë dhe kështu do të jetë Suedia që do të luajë në finale.
DANIMARKË-MAQEDONI E VERIUT 4-0
Ndodh gjithçka në Parken të Kopenhagenit, ku tifozët u bënë dëshmitarë të një fitore të madhe të Danimarkës që shkatërroi Maqedoninë e Veriut me rezultatin 4-0 duke prerë biletën për në finalen e playoffit. Pjesa e parë u mbyll 0-0 edhe pse danezët pushtuan zonën maqedonase. Gjërat ndryshuan në pjesën e dytë teksa në minutën e 51, Danimarka zhbllokoi rezultatin me Damsgaard. Nordikët dominuan totalisht dhe në harkun e vetëm 1 minute gjetën dy gola me Isaksen në minutat 58 dhe 59. Në fund la gjurmën e tij edhe Norgaard që vulosi fitoren 4-0 të Danimarkës që në finale do të përballet me Çekinë
ÇEKI-IRLANDË 4-3(pas penalltive), 2-2(pas kohës së rregullt dhe shtesës)
Epilog dhe fitore me penallti edhe për Çekinë që mposhti Irlandën në Fortuna Arena. Ndeshja nisi në mënyrën më të keqe të mundshme për çekët që u dukën në vështirësi që në minutat e para. Irlanda dominoi dhe fitoi një 11 metërsh që e shndërroi në gol në minutën e 19 me Troy Parrott. Në minutën e 23 erdhi edhe goli i dytë për Irlandën, që në të vërtetë ishte një autogol i Kovar që e çoi rezultatin në 2-0. U duk se gjithçka ishte e humbur për Çekinë, por Schick në minutën e 27 shkurtoi diferencën duke zgjuar kështu shokët e tij të skuadrës. megjithatë për të shënuar golin e barazimit 2-2, Çekia duhej të priste minutën e 86 kur shënoi me Krejci dhe kështu ndeshja shkoi në kohën shtesë. Në këtë moment Irlanda mezi rezistoi në fushën e lojës, por ia doli të çojë ndeshjen te seria e penalltive ku gabimet e Azaz dhe Brown dënuan irlandezët, ndërsa te Çekia Kliment dhe Schick nuk gabuan dhe kështu skuadra çeke kaloi në finale.
Top Channel