Fshati Lin shpallet pasuri kulturore e paluajtshme si “Ansambël arkitektonik urban” Mbreti Zog luajti rol kyç në themelimin e shtetit modern, sipas historianit Bernd Fischer.
“Ai u përball me sfida të panumërta, kishte shumë të meta dhe bëri shumë gabime. Megjithatë, përmes institucioneve që krijoi, hodhi hapat e parë të rëndësishëm në krijimin e shtetit modern”, u shpreh historiani Bernd Fischer.
Në prag të 100-vjetorit të themelimit të monarkisë në Shqipëri, profesori i Historisë në Indiana University dhe një nga studiuesit më të njohur ndërkombëtarë të historisë sonë moderne, sjell për publikun veprën “Mbreti Zog dhe themelet e Shqipërisë moderne”. Studimi ribotohet pas më shumë se tre dekadash me gjetje të reja, falë dokumenteve që Fischer i ka shqyrtuar në arkivat më të mëdha në Europë, me qëllimin për të trajtuar objektivisht figurën e Mbretit Zog.
“Besoj se një pamje më e qartë dhe e paanshme e Zogut është e vonuar. Shpresoj që ribotimi i këtij libri të mund të kontribuojë në fillimin e këtij procesi, të ndikojë në rivlerësimin e kësaj figure qendrore historike”, tha historiani.
Vepra u botua në bashkëpunim me Institutin Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, që sheh të nevojshëm rishikimin e ngjarjeve historike dhe përballjen me të shkuarën.
“Fischer me kontributin e tij, ka ndihmuar në bërjen e Shqipërisë. Kjo akademi nuk është për të promovuar librin, ne duam të nxisim një debat për ballafaqimin e shoqërisë shqiptare me të kaluarën. Duam të inkurajojmë shoqërinë shqiptare, jetën akadamikë, profesorë, studiues, të rinj, për t’u ballafaquar me historinë tonë”, u shpreh Albert Rakipi nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare.
Ky botim studimor ku përfshihen dhe bisedat që Fischer ka zhvilluar me Mbretëreshën Geraldinë në vitet ‘70, vjen si një kontribut i rëndësishëm në historiografinë e periudhës së monarkisë dhe në vijim.
Top Channel