Skandali i pornografisë së rreme trondit Gjermaninë, aktorja e famshme akuzon ish-in e saj për shpërndarjen e materialit

26/03/2026 07:22

Një skandal i rëndë që përfshin pornografi të rreme dhe akuza për dhunë seksuale ka tronditur Gjermania, duke nxitur debat të gjerë mbi kufijtë e ligjit penal në epokën e inteligjencës artificiale.

Aktorja dhe prezantuesja Colleen Fernandez akuzon ish-bashkëshortin e saj, Christian Ulmen, për krijimin dhe shpërndarjen e materialeve pornografike të rreme (deepfake) me imazhin e saj në internet. Sipas saj, ai dyshohet gjithashtu se është shtirur si ajo në komunikime me burra të tjerë, përfshirë edhe kolegë të saj, ndërsa ndaj tij rëndojnë edhe akuza për dhunë fizike.

Rasti u bë publik përmes një investigimi të revistës Der Spiegel, duke shkaktuar reagim të menjëhershëm politik në Berlin. Ministrja e Drejtësisë Stefanie Hubig njoftoi se po shqyrtohet shtrëngimi i legjislacionit për fenomenin e Deepfake.

Sipas deklarimeve të saj për Spiegel, Fernandez kishte kohë që ishte në dijeni të qarkullimit të materialeve deepfake me imazhin e saj, por vetëm së fundmi kishte kuptuar se ish-bashkëshorti i saj mund të ishte pas tyre.

Një element i veçantë i çështjes është fakti se ajo nuk iu drejtua autoriteteve gjermane, por atyre në Spanja, ku ka një rezidencë të dytë. Sipas saj, arsyeja lidhet me faktin se në Spanjë këto veprime ndiqen penalisht më qartë, duke reflektuar një mungesë besimi në sistemin gjerman.

Në Gjermania, krijimi dhe shpërndarja e materialeve të tilla nuk mbulohet plotësisht nga ligji penal, veçanërisht kur nuk lidhet me përfitime financiare, çka ka nxitur kritika për mungesë mbrojtjeje ndaj viktimave, sidomos grave.

Rasti ka ndezur debat të fortë publik dhe ka çuar edhe në protesta. Në Berlin, mijëra persona dolën në një demonstratë kundër dhunës seksuale në internet, me organizatorët që raportuan pjesëmarrjen e rreth 13 mijë protestuesve.

Ndërkohë, Christian Ulmen i ka mohuar të gjitha akuzat përmes avokatit të tij dhe ka paralajmëruar veprime ligjore kundër Der Spiegel, duke e cilësuar raportimin si “gazetari të njëanshme”.

Çështja mbetet në zhvillim dhe, deri në një vendim gjyqësor, Ulmen konsiderohet i pafajshëm.

Top Channel