Meta dhe YouTube e humbën gjyqin përballë një përdorueseje 20-vjeçareje, që i akuzoi për krijim varësie, ankthi e depresioni.

Ky vendim mund të ketë pasoja të rëndësishme për qindra padi të tjera të ngjashme. Juria në Los Anxhelos doli me vendimin se platformat kanë vepruar me pakujdesi dhe nuk kanë informuar mjaftueshëm përdoruesit lidhur me rreziqet e shërbimeve të tyre online.

Paditëses do t’i paguhet një dëmshpërblim prej tre milionë dollarësh, nga të cilat 70% duhet të shlyhen nga Meta.

Google njoftoi se do ta apelojë vendimin, duke argumentuar se YouTube nuk konsiderohet rrjet social, ndërsa Meta po shqyrton opsionet ligjore.

Vajza i akuzoi platformat se i kanë krijuar shërbimet qëllimisht për të krijuar varësi, përfshirë funksionin e pafund “scroll”.

Ajo deklaroi se përdorimi i këtyre platformave që nga fëmijëria lidhej me ankthin dhe depresionin që kishte përjetuar.

Procesi u zhvillua kundër YouTube dhe Instagramit, platformë e Meta-s, ndërsa konkurrentët Snapchat dhe TikTok shmangën gjykimin përmes marrëveshjeve.

Para jurisë dëshmoi edhe shefi i Meta-s, Mark Zuckerberg. Ky nuk është rasti i vetëm: një juri në Nju-Meksiko kishte dënuar më parë Meta-n me një gjobë prej 375 milionë dollarësh për mosmarrje të masave mbrojtëse ndaj përdoruesve të rinj. Meta ka paralajmëruar se do ta apelojë edhe këtë vendim.

Top Channel