“Irani gënjen”/ Lufta në Lindjen e Mesme, Trump: Kanë frikë t’i pranojnë bisedimet, druhen se i vret populli i tyre

26/03/2026 10:42

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt pohoi se Presidenti Trump ka qenë i angazhuar gjatë tre ditëve të fundit në “biseda produktive” me Iranin, pavarësisht se Republika Islamike në mënyrë të përsëritur e ka mohuar të ketë pasur negociata mes palëve.

“Regjimi iranian po kërkon një rrugëdalje. Bisedimet mes Uashingtonit dhe Teheranit po vazhdojnë. Presidenti Trump do të hapë portat e ferrit për ta, nëse nuk arrihet një marrëveshje paqeje”.

Mesazhi i saj ishte në kontrast të thellë me tonin e Ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, i cili u shpreh se Teherani “nuk ka ndërmend të negociojë për momentin.

“Janë përçuar mesazhe përmes vendeve mike. Por shkëmbime të tilla nuk përbëjnë as dialog, as negociata, dhe as diçka të ngjashme”.

Donald Trump ka vazhduar të këmbëngulë se Irani “po negocion”, por sipas tij, regjimi ka frikë ta pranojë hapur një gjë të tillë.

“Ata mohojnë, sepse kanë frikë se do të vriten nga populli i tyre”, u shpreh ai dhe më pas shtoi: “Po kështu, kanë gjithashtu frikë se do të vriten nga ne”. Kontradiktore kanë qenë edhe raportet rreth propozimeve për ndalimin e konfliktit.

Të mërkurën, u raportua se Irani kishte marrë një plan 15-pikësh nga SHBA-ja për të arritur një armëpushim.

Nga ana e tij, një “zyrtar i lartë iranian i sigurisë i cituar nga transmetuesi shtetëror Press TV, tha se ata kishin pesë kushte për të ndaluar luftën, duke përfshirë pagesën e “dëmeve dhe reparacioneve të luftës” dhe përfundimin e saj në të gjitha frontet.

Ndërkohë, luftimet vazhdojnë, me goditjen e një centrali elektrik izaelit nga  një sulmi të raportuar me raketë iraniane, ndërsa sirena alarmi janë dëgjuar vazhdimisht në Teheran.

 

Top Channel