Gjykata Kushtetuese rrëzoi dekretin për zgjedhje të reja, reagon Presidenca: Nuk u konstatua shkelje nga Osmani

25/03/2026 21:58

Disa orë pas publikimit të aktgjykimit, Presidenca e Kosovës tha se e mirëpret vendimin, duke argumentuar se organi më i lartë juridik në vend nuk gjeti asnjë shkelje kushtetuese të presidentes Osmani.

“Në përputhje me komentet e dërguara nga Presidenca, edhe vetë Gjykata Kushtetuese e konfirmon se afati 60-ditor duhet të konsumohet para afatit 30-ditor të paraparë në nenin 86.2 të Kushtetutës, dhe se ky afat 30-ditor para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual është përfundimtar dhe detyrues, si dhe nuk mund të relativizohet”, thuhet në reagim.

Ky institucion reagoi edhe ndaj deklaratave politike se Osmani ka shkelur Kushtetutën, duke thënë se këto tregojnë një ‘keqlexim’ të aktgjykimit dhe “politizim të skajshëm të një situate tashmë të qartësuar nga Gjykata Kushtetuese: që dështimi për zgjedhjen e presidentit të vendit është i deputetëve dhe si pasojë e mungesës së vullnetit politik për të arritur konsensus rreth zgjedhjes së presidentit”.

Presidenca tha se Kushtetuesja konfirmoi se vendi nuk shkon në zgjedhje të reja përmes një dekreti, “është dështimi i Kuvendit për zgjedhjen e presidentit të ri ai që i shkakton këtë proces të zgjedhjeve”.

Në reagim u tha se në komentet dërguar Kushtetueses, Osmani kishte shprehur po këtë qëndrim.

“Rrjedhimisht, duke qenë se rrethana e moskonstituimit të Kuvendit me kohë nuk ka qenë e paraparë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Gjykata ka interpretuar një rrethanë përjashtuese që vlen për këtë rast specifik, duke sqaruar se ‘në të gjitha rastet e zgjedhjes së Presidentit në të ardhmen, përkatësisht procedura për zgjedhjen e presidentit të ri, e cila nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë, duhet të fillojë përpara dhe të përfundojë jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual’”.

Në reagim thuhej se Osmani e mirëpret afatin 34-ditor dhe u bën thirrje deputetëve që “urgjentisht” ta kryejnë detyrimin kushtetues për zgjedhjen e pasardhësit të saj, duke i ftuar që nesër të caktojnë një seancë për zgjedhjen e presidentit.

Nga ana tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, tha se Gjykata konfirmoi se dekreti i presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit ishte në kundërshtim me Kushtetutën.

Top Channel