Von der Leyen thirrje SHBA-së dhe Iranit: Urgjent negociata që të hapet Hormuzi

24/03/2026 16:23

Shtetet e Bashkuara dhe Irani duhet të ulen në tryezën e negociatave në mënyrë që t`i jepet fund menjëherë bllokimit të Ngushticës së Hormuzit, si dhe më gjerë konfliktit në Lindjen e Mesme

Kryetarja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, u shpreh se përpjekjet e Iranit për të mbyllur këtë rrugë strategjike detare përmes sulmeve ndaj anijeve tregtare të paarmatosura dhe infrastrukturës kritike “duhet të dënohen”. Por në të njëjtën kohë, ajo insistoi në zgjidhjen e krizës.

“Irani duhet të ndërpresë menjëherë kërcënimet, vendosjen e minave, sulmet me dronë dhe raketa, dhe çdo përpjekje tjetër për të bllokuar ngushticën për anijet tregtare. Situata është kritike për furnizimin me energji për aleatët në mbarë botën.

Ne të gjithë po i ndiejmë pasojat indirekte mbi çmimet e gazit dhe naftës… por është jashtëzakonisht e rëndësishme të arrijmë një zgjidhje të negociuar, dhe t`i jepet fund armiqësive që shohim në Lindjen e Mesme”, tha Ursula Von der Leyen.

Komentet e saj, Von der Leyen i bëri gjatë një vizite në Australia, ku ndodhet për nënshkrimin e marrëveshjeje të re tregtare. Shefja e KE-së paralajmëroi në një fjalim përpara parlamentit australian, se ky vend nuk mund të mbështetet më te distanca e tij gjeografike për ta mbrojtur nga lufta dhe kaosi.

“Vendet që kanë ndërtuar modele ekonomike mbi premisën e stabilitetit dhe sigurisë, përballen sot me një realitet të ri. Bota në të cilën jetojmë është brutale, e ashpër dhe e pamëshirshme. Duket e kthyer përmbys. Siguria që ne njihnim, tashmë është vënë në diskutim”, tha Von der Leyen.

Deklaratat e saj erdhën në mesin e raporteve se përfaqësuesi i posaçëm i Donald Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, janë duke komunikuar me kryetarin e parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, lidhur me negociata të mundshme paqeje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB