Krimi në Roskovec/ I moshuari vrau bashkëshorten dhe më pas veten, policia kishte ndërhyrë pak ditë më parë për të “shuar” sherrin

24/03/2026 16:42

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mesditën e sotme fshatin Kuman, në Roskovec.

Një i moshuar dyshohet se ka vrarë bashkëshorten e tij dhe më pas i ka dhënë fund jetës.

Sipas informacioneve paraprake, shtetasi Shefit Rrapaj, rreth 80 vjeç, banues në fshatin Kuman, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri tip pushke bashkëshorten e tij, Dashuri Rrapaj, rreth 75 vjeçe, brenda banesës së tyre. Më pas, ai dyshohet se ka vrarë edhe veten.

Çifti Rrapaj kishte rreth 20 vite që jetonte në këtë zonë, pasi ishin zhvendosur nga Levani i Beratit. Ata ishin prindër të 7 fëmijëve, 3 vajza dhe 4 djem, shumica e të cilëve jetojnë në emigracion. Vetëm njëri prej djemve banonte me ta dhe është shoqëruar në komisariat për të dhënë dëshminë e tij lidhur me ngjarjen.

Burime nga zona bëjnë me dije se në familje kanë ekzistuar konflikte të vazhdueshme ndër vite. Madje, vetëm katër ditë më parë, në banesën e tyre kishte ndërhyrë edhe policia për të sqaruar mosmarrëveshjet mes çiftit.

Gjithashtu, mësohet se rreth 10 vite më parë, i moshuari kishte tentuar t’i jepte fund jetës me armë zjarri.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e këtij rasti të rëndë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB