“Jo bashkëpunim me PS”/ Berisha refuzon referendumet, PD paraqet variantet e saj për reformën

24/03/2026 15:59

Reforma po, por referendume me Edi Ramën jo.

Sali Berisha i mbylli derën nismës së socialistëve që zhvendos fuqinë vendimmarrëse nga partitë politike tek qytetarët përmes referendumeve.

“Nuk votojmë asnjë ligj me PS. Jemi të angazhuar në proceset e reformës, në dy reforma. Jo se besojmë se Edi Rama do të pranojë të ketë një produkt të përbashkët, Por kemi një opinion të tërë që kërkon që të ne të paraqesim variantin tonë dhe ata të njihen më të. Por, të votojmë në mënyrë të njënjëshme ligjet e PS, kjo s’ndodh! Edi Rama përpiqet që me shashka të mbulojë vjedhjet, jo!”, u shpreh Berisha.

Në të njëjtën kohë kur socialistët u ulën për të shkruar një ligj të ri për referendumet, demokratët morën laps e letër për të shkruar propozimin për uljen e barrës fiskale mbi naftën.

“PD ka gati paketën e programit të saj me të cilën ajo vendos mbi naftën të njëjtën ngarkesë fiskale që ka Maqedonia e Veriut dhe Kosova, ngarkesë e cila i lejon këto dy vende që nuk nxjerri asnjë litër naftë, të shesin naftën 60% më lirë se në Shqipëri”, tha Berisha.

Për rritjen e çmimit të naftës, kryedemokrati nuk fajëson luftën në Lindjen e Mesme, por Edi Ramën.

“Shkaku i çmimit stratosferik, Edi Rama. Ngarkesa fiskale mbi litrin e naftës në Shqipëri është mbi 60-65 përqind, ndërkohë që në vendet më të zhvilluara të planetit në mesatare kjo ngarkesë është 40-45 përqind. Faktori i dytë madhor është kontrabanda e naftës.

350 mijë ton naftë kontrabandë janë të barabarta me të ardhura aktuale 410 milionë euro. Faktori i tretë janë rezervuarët e naftës apo depozitat e naftës, Edi Rama preferon që ajo rezervë të mbahet duke tatuar edhe më rëndë naftën që u shitet qytetarëve”, tha kryedemokrati.

Në përvjetorin e 27 të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, Sali Berisha kërkoi anëtarësimin e saj në aleancë.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB