Referendumi për Drejtësinë në Itali/ 53% e votuesve thonë “Jo”, Meloni: Keqardhje për këtë mundësi të humbur. Opozita: Një pranverë e re po çel

23/03/2026 19:05

Qytetarët italianë i thanë “JO” kryeministres Giorgia Meloni në referendumin dyditor për Reformën në Drejtësi, duke lëkundur pozitat e saj në qeveri.

Rreth 53% e qytetarëve votuan kundër ndryshimeve në Kushtetutë për gjyqësorin, të propozuara nga qeveria e udhëhequr nga kryeministrja Meloni, sipas së cilës, synonin një sistem drejtësie më të pavarur.

Në votimin, që nisi të dielën dhe u mbyll pasditen e të hënës, u shënua një pjesëmarrje në nivele historike, me rreth 59%, të cilët hodhën poshtë lëvizjen e udhëheqëses së ekstremit të djathtë, që dëshironte të ndryshonte Kushtetutën e Italisë për të ndarë rolin e gjykatësve dhe prokurorëve dhe për të reformuar trupin mbikëqyrës të tyre.

Në një video-mesazh në rrjetet sociale, kryeministrja Giorgia Meloni pranoi humbjen në referendum, por nuk ka asnjë sinjal për dorëheqje.

“Sovraniteti i përket popullit dhe italianët janë shprehur qartë. Ne e respektojmë vendimin. Keqardhje për një mundësi të humbur për të modernizuar Italinë, por kjo nuk e ndryshon angazhimin tonë për të vazhduar të punojmë me seriozitet dhe vendosmëri për të mirën e kombit. Ne do të ecim përpara, siç kemi bërë gjithmonë, me përgjegjësi, vendosmëri dhe respekt për popullin italian dhe për Italinë”, tha Meloni.

Vota e italianëve kundër qeverisë u përshëndet nga opozita. Ish-kryeministri Giuseppe Conte, drejtues i partisë “Lëvizja Pesë Yje”, tha se “po agon një pranverë e re politike, ku qytetarët janë protagonistë”.

“Qytetarët po sinjalizojnë kërkesën për një politikë që është e vëmendshme ndaj nevojave të tyre dhe më pak e fokusuar në mbrojtjen e politikanëve nga hetimet”, u shpreh Conte.

Edhe ish-kryeministri Matteo Renzi, që udhëheq Partinë Demokratike, e cilësoi rezultatin e referendumit një ngjarje të madhe politike.

“Kur populli flet, qeveria duhet të dëgjojë”, u shpreh Renzi, i cili në vitin 2016, në atë kohë kryeministër i vendit, vuri bast karrierën e tij në një reformë kushtetuese që votuesit e refuzuan, duke i rrëzuar qeverinë.

“Ne fituam! Një shumicë kombëtare ndaloi një reformë të gabuar. Një fitore edhe më e bukur sepse filluam nga një humbje e parashikuar, por në vend të kësaj e përmbysëm atë rezultat. Të rinjtë bënë diferencën, edhe pse jo-rezidentët nuk mund të votonin. Sapo të fitojmë zgjedhjet, do të miratojmë një ligj që u lejon jo-rezidentëve të votojnë”, tha sekretarja e Partisë Demokratike, Elly Schlein.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB