Teherani godet dy qytete izraelite, plagosen 180 persona. Tel Avivi vret anëtarin e Hamasit në Liban, Trump ultimatum Iranit për Ngushticës e Hormuzit

22/03/2026 17:30

Konflikti i armatosur në Lindjen e Mesme ka hyrë në javën e katërt, ndërsa tensionet mes palëve sa vijnë e rriten.

Gjatë ditës së sotme Teherani goditi jugun e Izraelit, konkretisht qytetet Arad dhe Dimona, ndërsa raportohet se gjatë sulmeve në dy qytetet kanë mbetur të plagosur 180 persona.

Bllokimi i Ngushticës së Hormuzit po bëhet një nga pikat kyçe të konfliktit, pasi mbrëmjen e ditës së djeshme presidenti amerikan Donald Trump dha një ultimatum për Iranin. Në një postim në Truth Social presidenti kërcënoi se nëse rruga tregtare nuk zhbllokohej brenda 48 orëve ai do të urdhërojë forcat amerikanë të godasin termocentralet iraniane.

Ndër të tjera Izraelit vijon fushatën e tij në Liban kundër organizatave të Hezbollahut dhe Hamasit teksa thekson se një anëtar i kësaj të fundit u vra nga zjarri i forcave izraelite.

Përditësimet LIVE, 22 mars

17:22 Kërcënon Irani: Do mbyllim plotësisht Ngushticën e Hormuzit nëse SHBA-të sulmojnë centralet tona bërthamore

Irani ka paralajmëruar se do të mbyllë plotësisht Ngushticën e Hormuzit nëse presidenti amerikan, Donald Trump, zbaton kërcënimet për të goditur infrastrukturën energjetike të vendit.

16:30 “Vendi është plotësisht i aftë të mbrojë territorin”, Britania: Nuk ka prova që Irani mund të godasë Londrën

Mbretëria e Bashkuar ka deklaruar se Irani nuk është në gjendje të sulmojë Londrën apo që synon territorin britanik, deklaroi ministri Steve Reed, duke kundërshtuar pretendimet e Izraelit për kapacitete raketore me rreze të gjatë të Teheranit.

15:50 Izraeli: Irani ka sulmuar me mbi 400 raketa balistike që nga nisja e luftës

Ushtria izraelite tha më 22 mars se Irani ka gjuajtur mbi 400 raketa balistike drejt Izraelit që nga nisja e luftës, duke pretenduar se rreth 92 për qind e tyre janë rrëzuar.

15:03 162 të plagosur në Izrael/ Teherani u përgjigj pas sulmeve në Natanz, Netanyahu: Të na bashkohen vendet e tjera

Më shumë se 160 persona janë plagosur, disa rëndë, nga sulmet me raketa iraniane në dy qytete jugore izraelite pranë një impianti bërthamor, kanë thënë zyrtarët izraelitë të emergjencës.

14:24 Forcat izraelite vijojnë sulmet ndaj Hezbollahut në Liban, vrasin një komandant dhe dy anëtarë të organizatës

Ushtria izraelite tha se ka vrarë një komandant të njësisë Radwan të Hezbollahut dhe dy individë të tjerë në një sulm në Libanin jugor.

14:00 “Britania e pambrojtur”/ Ekspertët: Garancia vjen vetëm nga sistemet mbrojtëse të amerikanëve

Pas sulmit të dështuar me raketa nga Irani drejt bazës së rëndësishme ushtarake britanike të Diego Garcia në Oqeanin Indian, dhe deklaratës së shefit të shtabit të ushtrisë izraelite, ekspertët britanikë deklarojnë se Britania është e pambrojtur nga raketat iraniane.

13:54 SHBA publikon fotot e objektit iraniane të prodhimit të raketave, baza duket plotësisht e shkrumbuar pas sulmeve amerikane

Disa imazhe të reja satelitore që janë publikuar nga forcat amerikane, tregojnë se objektet e prodhimit të raketave balistike të regjimit iranian kanë pësuar dëme serioze.

13:34 Mbretëria e Bashkuar dërgon nëndetësen bërthamore në Detin Arab, a do t’i bashkohet Londra luftës ndaj Iranit?

Një nëndetëse britanike me energji bërthamore, e pajisur me raketa Tomahawk, është vendosur në Detin Arabik dhe është duke pritur një urdhër të mundshëm për sulme me rreze të gjatë veprimi në rast të përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit në Lindjen e Mesme, sipas një raporti nga Daily Mail.

12:48 Netanyahu thirrje liderëve evropianë: Është koha të na mbështesni, Irani tashmë ka hapur zjarr edhe mbi shtetet tuaja

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përsëriti se është koha që udhëheqësit e vendeve të tjera t’i bashkohen Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara kundër Iranit, ndërsa konflikti me Teheranin përshkallëzohet.

11:20 Analiza e BBC/ Trump kërcënoi Iranin për Ngushticën e Hormuzit, si do t’i përgjigjet Teherani ultimatumit të presidentit?

Mbrëmjen e ditës së djeshme presidenti amerikan Donald Trump i dha një ultimatum Iranit në lidhje me hapjen e Ngushticës së Hormuzit.

BBC shqyrton mënyrën se si Teherani mund t’i përgjigjet ultimatumit 48-orësh, duke përshkruar dilemat e Republikës Islamike dhe skenarët që mund të përcaktojnë rrjedhën e konfliktit.

10:30 Nga mbyllja e bazave amerikane në rajon te marrëveshja për Hormuzin, cilat janë gjashtë kushtet e Iranit për t’i dhënë fund luftës

Teherani ka paraqitur gjashtë kushte për t’i dhënë fund tensioneve me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, ndërsa Presidenti Donald Trump bëri thirrje për hapjen e Ngushticës së Hormuzit brenda 48 orëve, përndryshe SHBA-të do të sulmojnë termocentralet iraniane.

09:10 Çekët vërshojnë në rrugë, protesta më e madhe kundër qeverisë që nga viti 2019: Jo shkurtimeve për mbrojtjen

Me dhjetëra mijëra qytetarë çekë protestuan nëpër rrugët e Pragës. Kjo është protesta më e madhe kundër qeverisë që nga viti 2019.

Protestuesit kundërshtuan shkurtimet në shpenzimet për mbrojtjen, të propozuara nga kryeministri Andrej Babish.

08:57 Lufta për ujin në Gjirin Persik, frikë për impiantet e destilimit, Anglia çon nëndetësen në detin arabik

Ndërsa lufta po zgjatet, pasojat nuk kufizohen vetëm në objektivat ushtarake. Në kuadër të Ditës Botërore të Ujit, analistët paralajmërojnë se përplasja në Gjirin Persik rrezikon seriozisht impiantet e shkripëzimit të ujit, jetike për furnizimin e miliona banorëve në rajon, duke e kthyer ujin në një tjetër front të kësaj lufte.

08:36 Trump kërcenon Teheranin: Nëse Ngushtica e Hormuzit nuk hapet për 48 orë, do godasim termocentralet iraniane

Presidenti Donald Trump kërcënoi të shtunën se do të “godasë dhe zhdukë” termocentralet iraniane nëse Teherani nuk e rihap Ngushticën e Hormuzit brenda 48 orëve.

08:22 Tensionet në Lindjen e Mesme, Izraeli ngre alarmin: Raketat iraniane mund të arrijnë deri në Romë, Paris dhe…

Shefi i Shtabit të Forcave të Mbrojtjes Izraelite, Eyal Zamir, deklaroi se raketat iraniane kanë një rreze veprimi që mund të arrijë disa kryeqytete evropiane.

Sipas tij, qytete si Berlini, Parisi dhe Roma janë brenda rrezes së mundshme të goditjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB