Në episodin e kësaj të diele të podcast-it “Flasim”, Kryeministri Edi Rama kishte të ftuara zyrtare të Ambasadës Kineze dhe studente kineze në Shqipëri.
Kryeministri Edi Rama ka theksuar se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kinës janë miqësore dhe se zhvillimi i këtij vendi është i jashtëzakonshëm.
Gjatë bisedës, Rama bëri të ditur se po përgatitet përkthimi në shqip i librit “The New China Playbook”, të ekonomistes kineze Keyu Jin, duke e cilësuar veprën si një guidë për të kuptuar Kinën pa paragjykime.
Rama nënvizoi nevojën për të forcuar turizmin dhe bashkëpunimin akademik, si dhe shkëmbimet kulturore dhe arsimore, që sipas tij mund të kontribuojnë në afrimin mes dy popujve.
“Marrëdhënia jonë me Kinën dikur ka qenë e afërt, shumë e afërt, pastaj gjërat ndryshuan. Dhe jemi shumë më larg sesa ç’mund të jetë Kina sot me shumë vende të tjera dhe këtu në rajon, për hir të vërtetë. Por marrëdhënia është miqësore. Nga ana tjetër progresi i Kinës është i jashtëzakonshëm.
Unë jam duke ndjekur një përkthim te një libri që më ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë, një libër i shkruar nga një ekonomiste kineze që ka studiuar në SHBA dhe që jeton midis Kinës dhe Britanisë së Madhe. Është profesore në LSE dhe ka shkruar një libër që titullohet ‘The new China playbook’”, u shpreh Rama.
Top Channel