I ftuar në “Podcast me Grida Duma”, Spartak Ngjela u ndal te raporti mes pushtetit dhe asaj që ai e quan “eros politik”, duke sjellë si shembull figurën e Enver Hoxha.
Gjatë bisedës, Ngjela theksoi se ndikimi i një lideri mbi turmën nuk lidhet vetëm me programin apo fjalën, por me një tërheqje të brendshme që, sipas tij, shpesh vepron në mënyrë të pavetëdijshme.
“E vetmja figurë që e zgjidh këtë që të thashë, merre fotografinë e Enver Hoxhës”, u shpreh ai, duke e përdorur si shembull ekstrem të këtij fenomeni.
Sipas Ngjelës, ish-diktatori shqiptar nuk e ndërtoi autoritetin mbi komunikimin politik. “Ai e ka marrë pushtetin nga pamja e fytyrës. Me atë i ka marrë të tërë”, tha ai.
Në vijim, ai shtoi se Hoxha nuk kishte aftësinë e një lideri për të artikuluar ide bindëse. “Çfarë përfaqësonte? Asgjë. Politikani duhet të ketë edhe verbin. Ai verb s’kishte, ca fraza të gjata”, u shpreh Ngjela.
Në analizën e tij, ndikimi i Hoxhës mbi shoqërinë erdhi më shumë nga perceptimi sesa nga përmbajtja reale e mesazhit. “I kishte mposhtur opinionin publik me figurën e tij dhe ata mendonin se këto ishin perla”, përfundoi ai.
Top Channel