Derbi i zjarrtë i Madridit, Real-Atletico, Arbeloa: Do të luajmë me dëshirë dhe entuziazëm. Me fat që përballem me Simeonen

21/03/2026 14:03

Mbrëmja e së dielës ka rezervuar përballjen legjendare të futbollit spanjoll, derbin e Madridit mes Realit dhe Atleticos. Në Bernabeu skuadra e drejtuar nga Alvaro Arbeloa do të kërkojë të marrë revanshin për humbjen e thellë 5-2 të fazës së parë kur në pankinë ishte Xabi Alonso.

Në konferencën për shtyp në prag të kësaj ndeshjeje Arbeloa deklaroi se të gjithë në skuadrën e tij e presin këtë derbi me entuziazëm.

‘Do të përballemi në këtë ndeshje derbi me shumë dëshirë dhe entuziazëm-tha Arbeloa- e dimë që është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe domëthënien e 3 pikëve për tifozerinë dhe për pritshmërinë që është krijuar. Është një nga ato ndeshje që japin më shumë emocione kur i jeton si futbollist, trajner dhe tifoz. Duam të shohim një Bernabeu që të na tërheqë sepse luajmë ndaj një skuadre shumë të madhe dhe kemi motivimin maksimal’.

Reali i Madridit nuk do të ketë në dispozicion në këtë derbi Courtois që pësoi një dëmtim, por Arbeloa shfaqi të gjithë besimin e tij ndaj Lunin

‘Dëmtimi i Courtois? Sa herë që një futbollist zbret në fushën e lojës rrezikon-shtoi Arbeloa-janë shumë të paktë futbollistët që luajnë pa ndjerë dhimbje apo shqetësime. Në pushimin e ndeshjes donte të vazhdonte, por vendosa që ta frenoj edhe për besimin maksimal që kam te Lunin. Është një mundësi e madhe edhe për të. U dëmtua portieri më i mirë në histori, por ne kemi një tjetër superportier që do të tregojë sesa vlen. Nuk kemi fiksuar asnjë afat për rikuperimin e Courtois’.

Arbeloa më pas konfirmoi se Kylian Mbappe do të luajë në derbin me Atletico dhe se do të ketë në dispozicion edhe Bellingham.

‘Përsa i përket Mbappe, ju kisha thënë që ditën që do të kthehej do të ishte në 100% të formës-tha trajneri i Los Blancos-ai e tregoi këtë në Manchester. Besim maksimal, garanci dhe entuziazëm për rikthimin e një futbollisti shumë vendimtar si ai. Nesër do të luajë me siguri dhe nuk shoh asnjë problem me faktin që ai do të luajë edhe me kombëtaren. Të kesh Bellingham sërish në skuadër është një lajm i shkëlqyer, ashtu siç është rendimenti i Thiagos. Nuk është problem të zgjedhësh mes futbollistëve të mëdhenj, për më tej ata mund të luajnë së bashku’.

Përsa i përket ndeshjes me Atletico Madrid, Arbeloa tha se është me fat që do të ketë një përballje me një trajner si Diego Pablo Simeone.

‘Atletico Madrid? Unë mendoj për skuadrën time-tha Arbeloa-është fat të përballesh me Simeonen sepse është një trajner që të çon në limite, kërkon shumë dhe të detyron të studiosh edhe detajet më të vogla. Është një privilegj të përballesh me trajnerët më të mirë në botë’.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB