Shqiptari i Gjermanisë, Brajan Gruda shënon dy herë në fitoren 5-0 të Leipzig ndaj Hoffenheim-it
Bayerni i Mynihut vijon marshimin drejt një titulli tjetër kampion të Gjermanisë. Në Allianz Arena skuadra e Vincent Kompany shkatërroi Union Berlin me rezultatin 4-0 dhe kur kanë mbetur 7 javë nga fundi i kampionatit bavarezët e shohin veten në 70 pikë.
Union Berlin arriti të rezistojë në fushë deri në minutën e 43 kur Bayerni zhbllokoi rezultatin me Olise. Pak caste më vonë skuadra bavareze shënoi sërish këtë radhë me Serge Gnabry për të mbyllur pjesën e parë me avantazhin 2-0. Pas pushimit të ndeshjes, Bayerni nuk u ndal dhe shënoi edhe dy herë të tjera. Harry Kane menjëherë pas rikthimit në fushën e lojës shënoi golin e tretë për Bayernin e Mynihut, ndërkohë që Gnabry, i cili plotësoi dygolësh personal vulosi fitoren 4-0 të Bayernit.
Gola dhe spektakël u pa në ndeshjen mes FC Köln dhe Borussia Moenchengladbach që u mbyll me barazimin 3-3. Sfida ishte me një ritëm të shfrenuar që në castet e para të saj. Moenchengladbach mori avantazhin që në minutën e parë me Castrop, por shumë shpejt FC Köln iu kundërpërgjigj duke përmbysur gjithçka në vetëm pak minuta. Said El Mala barazoi shifrat në 1-1, ndërsa Ache në të 7 i dha avantazhin FC Kölnit. Ishte një ndeshje që nuk kishte pushim pasi në minutën e 20 Borussia Moenchengladbach barazoi shifrat në 2-2 me pas golit të Philip Sander. Në pjesën e dytë Castrop shënoi sërish për Moenchengladbach duke e çuar rezultatin në 3-2, por pak para fundit të sfidës FC Köln barazoi në 3-3 me Eric Martel, me këtë të fundit që vetëm 2 minuta pas golit u ndëshkua me karton të kuq duke e lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë. Gjithsesi pas këtij momenti gjërat nuk ndryshuan më dhe sfida u mbyll 3-3.
Në ndeshjet e tjera të Bundesligës, Wolfsburg humbi ndaj Werder Bremen 0-1, ndërkohë që me barazimin 3-3 përfundoi edhe sfida mes Heidenheim dhe Bayer Leverkusen.
Top Channel