Policia e Lezhës ka finalizuar operacionin e koduar “Pajisjet”, duke zbardhur autorësinë dhe rrethanat e vjedhjes së ndodhur katër ditë më parë në shkollën 9-vjeçare “Besëlidhja”.
Si rezultat i hetimeve, janë identifikuar 6 autorët e dyshuar, të cilët kanë hyrë në ambientet e shkollës pas mesnate, duke dëmtuar dyert dhe duke marrë pajisje me vlerë. Në pranga është vënë 22-vjeçari Arsel Brunga, ndërsa 5 të tjerët, të mitur të moshave 15 deri në 17 vjeç, janë proceduar penalisht.
Tre prej tyre rezultojnë të jenë nxënës të kësaj shkolle. Sipas policisë, të rinjtë dyshohet se janë nxitur nga 22-vjeçari për të kryer vjedhjen, e cila ka ndodhur rreth orës 01:00 të datës 14 mars. Ata kanë marrë 16 laptopë, 2 videoprojektorë dhe serverin qendror të kamerave të sigurisë. Pas vjedhjes, pajisjet janë transportuar me një automjet tip “Volkswagen” dhe janë fshehur në bodrumin e një objekti në ndërtim, si dhe në banesën e të arrestuarit.
Gjatë operacionit, policia ka mundur të gjejë dhe të sekuestrojë 16 prej pajisjeve të vjedhura, të cilat tashmë janë marrë si prova materiale, së bashku me automjetin e përdorur në krim. Ndërkohë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përfshirjen e mundshme të personave të tjerë.
Top Channel