Rrugëtimi drejt finales se Leipzigut në Conference League po merr gjithnjë e më shumë formë. Sot në mbrëmje do të përcaktohen 8 skuadrat çerekfinaliste të kompeticionit në ndeshjet që ashtu si ato të Europa League do të transmetohen në platformën Digitalb.

Në fakt janë shumë skuadra që kanë një avantazh të konsiderueshëm ndaj kundërshtareve të tyre për shkak të fitoreve të marra në transfertë. Kështu, AEK i Athinës ku aktivizohet portieri i kombëtares shqiptare Thomas Strakosha është tashmë me një këmbë në finale. Skuadra greke do të luajë në shtëpi ndaj Celjes të cilën e kishte mundur në ndeshjen e parë me rezultatin 4-0. Po kështu edhe Rayo Vallecano i mbrojtësit kuqezi, Ivan Balliu. Skuadra madrilene do të presë në Vallecas, Samsunspor dhe në këtë ndeshje ka një avantazh të konsiderueshëm duke qenë se e ka fituar ndeshjen e parë në Turqi me rezultatin 3-1.

Edhe Fiorentina ka shumë shanse për të qenë mes 8 më të mirave të Conference League. Skuadra italiane që lufton për mbijetesë në Serie A, do të presë në ‘Artemio Franchi’  skuadrën e Rakow të cilën e ka mundur në ndeshjen e parë 2-1. Tjetër skuadër që është shumë pranë kalimit në çerekfinale është edhe Shakhtar Donetsk që do të presë Lech Poznan të cilën e ka mundur në ndeshjen e parë të zhvilluar në Poloni 3-1.

Në Çeki, Sparta Pragë do të presë Alkmaarin me skuadrën holandeze që ka avantazhin e fitores së parë me rezultatin 2-1, një rezultat që gjithsesi ngre pikëpyetje dhe në këtë përballje gjithçka mund të ndodhë. Fitore në transfertë javën e kaluar mori edhe Strasbourg që në kroaci mundi Rijekën 2-1 dhe ky rezultat i jep një qetësi më të madhe për sfidën që do të luhet në Francë.

Ndeshje krejtësisht e hapur do të jetë ajo që do të luhet ne Qipro mes AEK Larnaca dhe anglezëve të Crystal Palace pasi gjithçka do të nisë me rezultatin 0-0 ashtu sic ishte edhe rezultati i ndeshjes së parë dhe e njëjta gjë mund të thuhet edhe për ndeshjen tjetër, atë mes Mainzit dhe Sigma Olomuc.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB