Debatet pas ndeshjes mes Manchester Cityt dhe Real Madridit në Champions League vazhdojnë, por tashmë një analizë e detajuar ka hedhur më shumë dritë mbi episodet më të diskutueshme.

Faqja e specializuar “Archivo VAR” ka publikuar pamjet dhe shpjegimet për pozicionin e Vinicius Junior në aksionin që çoi te penalltia vendimtare, si dhe për kartonin e kuq të Bernardo Silvës.

Sipas analizës, pozicioni i Viniciusit në nisje të aksionit ka qenë i rregullt, pasi braziliani ndodhej pas mbrojtësit të fundit të Cityt. Edhe pse VAR fillimisht krijoi konfuzion duke analizuar një mbrojtës të gabuar, përfundimi final mbetet i saktë: nuk kishte pozicion jashtë loje.

Në vijim të aksionit, momenti kyç erdhi kur Bernardo Silva preku topin me dorë, duke ndërhyrë në mënyrë të parregullt dhe duke ndaluar një rast të pastër shënimi. Sipas “Archivo VAR”, përdorimi i bërrylit nga portugezi justifikon plotësisht vendimin për penallti dhe karton të kuq direkt.

Këto vendime patën ndikim të drejtpërdrejtë në rrjedhën e ndeshjes, e cila përfundoi me fitore 2-1 për Real Madridin, duke siguruar kalimin e madrilenëve në çerekfinale me rezultat të përgjithshëm dominues.

Pavarësisht polemikave fillestare, analiza teknike duket se konfirmon korrektësinë e arbitrimit në momentet vendimtare të sfidës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB