Iu hoq titulli kampioni Afrikës për t’iu dhënë Marokut, futbollistët senegalezë kundërpërgjigjen

18/03/2026 00:45

Pas vendimit të pazakontë të Konfederatës Afrikane të Futbollit(CAF) për t’i hequr Senegalit titullin e kampionit të Afrikës për t’ia dhënë Marokut, futbollistët tashmë nënkampionë të kontinentit reaguan nëpërmjet rrjeteve sociale.

Shumë prej lojtarëve që ngritën trofeun në 18 janar postuan foto të tyre bashkë me kupën e madje arritën deri aty sa të qeshnin me këtë verdikt të Komisionit të Apelit të CAF.

Një prej lojtarëve më të drejtpërdrejtë ishte Pathè Ciss, futbollist i Rayo Vallecano. Vetëm pak minuta pas publikimit të vendimit për rokadën e titullit, mesfushori në profilin e tij në rrjetet sociale postoi video të festimeve pas fitores me Marokun. ‘Mund t’iu japin edhe 3 gola të tjerë qaramanëve’-shkruante futbollisti në rrjetin social X.

Pape Demba Diop, mesfushor i Toulouse, kritikoi gjithashtu vendimin. ‘Besoj se jemi në çmendinë’-u shpreh ai. Të tjerë lojtarë që ishin të pranishëm në arritjen historike të Senegalit si Habib Diarra dhe Moussa Niakhaté postuan foto me Kupën dhe festime në Senegal.

Këtyre reagimeve shumë prej të cilave ishin ironike iu bashkua edhe Federata Senegaleze e Futbollit që në rrjetet sociale publikoi një video të festimeve të futbollistëve pasi u kthyen në vend pas fitores së titullit kampion të Afrikës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB