LIVE/ Trump kërcënon NATO-n, Gjermania dhe Britania refuzojnë Presidentin amerikan: S’kemi lidhje me Hormuzin! Mojtaba Khamenei në gjendje kritike
Udhëheqësi i ri suprem i Iranit i mbijetoi sulmeve ajrore amerikane dhe izraelite sepse doli jashtë për një shëtitje në kopshtin e tij disa minuta para se shtëpia e tij të goditej nga raketat.
Një audio e dalë e siguruar nga The Telegraph zbulon se Mojtaba Khamenei ishte shënjestër në të njëjtin sulm që vrau babanë e tij dhe anëtarë të tjerë të udhëheqjes së Republikës Islamike. Por ai kishte dalë jashtë “për të bërë diçka” pak momente para se raketat balistike izraelite Blue Sparrow të godisnin rezidencën e tij në orën 9:32 të mëngjesit sipas kohës iraniane më 28 shkurt.
Një fjalim i mbajtur nga Mazaher Hosseini, kreu i protokollit për zyrën e Ali Khameneit, drejtuar klerikëve të lartë dhe komandantëve të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) ofron rrëfimin e parë të detajuar të asaj që ndodhi brenda kompleksit të udhëheqësit suprem kur u sulmua.
Një regjistrim i komenteve të tij u zbulua në The Telegraph dhe është verifikuar nga prestigjiozja britanike.
Hosseini zbuloi se Mojtaba Khamenei pësoi një dëmtim në këmbë në sulme, ndërsa gruaja dhe djali i tij u vranë menjëherë dhe kunatit të tij iu pre koka.
Trupi i Mohammad Shirazi, shefit të byrosë ushtarake të Khameneit, u “shpërbë në copa”. Vetëm “disa kilogramë mish” mund të përdoren për ta identifikuar atë, tha Hosseini në takimin e mbajtur më 12 mars në lagjen Qolhak të Teheranit.
Mojtaba Khamenei jetonte në të njëjtin kompleks me të atin në kryeqytetin iranian. Atje ndodhej gjithashtu një sallë fetare ku Ali Khamenei mbante fjalime, si dhe shtëpitë e fëmijëve të tjerë të Khameneit.
Më 28 shkurt, Ali Khamenei dhe zyrtarë të lartë të sigurisë u mblodhën për një takim kur raketat goditën kompleksin.
Mohammad Pakpour, shefi i IRGC-së, Aziz Nasirzadeh, ministri i mbrojtjes i Iranit, dhe Ali Khamenei ishin midis të vrarëve.
“Vullneti i Zotit ishte që Mojtaba duhej të dilte në oborr për të bërë diçka dhe pastaj të kthehej”, u shpreh Hosseini
“Ai ishte jashtë dhe po shkonte lart kur ata goditën ndërtesën me një raketë. Gruaja e tij, Haddad vdiq menjëherë”, shtoi ai.
Hosseini tha se Mojtaba pësoi vetëm “një dëmtim të lehtë në këmbë”.
Sipas tij, sulmet kishin në shënjestër disa vende brenda kompleksit të zyrave njëkohësisht dhe dukej se kishin për qëllim zhdukjen e të gjithë familjes Khamenei.
“Këta djaj kishin konsideruar disa vende brenda kompleksit të zyrave për të sulmuar, njëra prej tyre ishte shtëpia e udhëheqësit suprem. Ata e goditën vendin me tre raketa”, u shpreh Hosseini.
Gjithashtu u goditën shtëpia e Mojtabës në katin e sipërm, si dhe rezidenca poshtë, e cila i përkiste kunatit të tij Misbah al-Huda Bagheri Kani dhe shtëpia e vëllait të tij, Mostafa, dhe gruas së tij.
“Raketa ishte aq e fuqishme sa zbriti poshtë ku ishte Misbah, shkoi deri në dhomën tij. Raketa u e godini në një mënyrë që ia preu kokën përgjysmë”, rrëfeu Hosseini.
Mostafa Khamenei dhe gruaja e tij ishin “afër” në një rezidencë të tretë kur edhe ajo u godit.
“Falë Zotit ra pak pluhur dhe rrënoja, por ata dolën të padëmtuar”, shprehet Hosseini.
Asnjë nga fëmijët e tjerë të Ali Khameneit nuk është shfaqur publikisht që nga sulmet dhe askush nuk ka lëshuar mesazhe urimi ose premtime besnikërie kur Mojtaba u zgjodh si udhëheqës suprem.
Ai nuk është parë që nga fillimi i luftës. Mesazhi i tij i vetëm për popullin e tij erdhi në formën e një mesazhi të lexuar në televizionin shtetëror, duke çuar në spekulime, përfshirë edhe nga Donald Trump, se ai mund të jetë plagosur më rëndë sesa pretendon Irani.
Shefi ushtarak Mohammad Shirazi u shënjestrua në një përpjekje për të penguar planifikimin e trashëgimisë, pohoi Hosseini. Shirazi konsiderohej lidhja thelbësore midis komandës ushtarake të Iranit dhe udhëheqësit suprem.
“Ky njeri i dashur kishte informacion mbi të gjithë personelin ushtarak. Armiku e dinte këtë, ndërsa godiste udhëheqësin suprem, e goditi edhe atë sepse e dinin se ai do të zëvendësonte ata që ishin vrarë, dhe kur të emëroheshin komandantë të rinj, ata mund të kishin një shans për të ndikuar te rebelët dhe të infiltruarit dhe për të bërë diçka”, tha ai.
“Ai u bë copë-copë, ata nuk mundën të gjenin asgjë prej tij, dhe në fund gjetën copa mishi dhe e identifikuan se ishte trupi i tij”, shprehet Hosseini.
Audioja e publikuar vjen mes pyetjeve rreth lëndimeve të Mojtaba Khameneit dhe aftësisë së tij për të udhëhequr.
“Nuk e dimë nëse ai ka vdekur apo jo”, tha Donald Trump sot.
Një zyrtar iranian tha se komandantët ushtarakë nuk kishin informacion në lidhje me gjendjen e udhëheqësit suprem dhe se “të gjithë komandantët e tjerë nuk kanë lajme për të”.
Vlerësimet e inteligjencës amerikane sugjerojnë se Ali Khamenei kishte rezerva në lidhje me pasardhësin e të birit. Ai e konsideronte Mojtabën “jo shumë të zgjuar” dhe “të pakualifikuar për të qenë udhëheqës”, sipas CBS News.
Veçmas, pati edhe thashetheme për probleme në jetën e tij private.
Një raport i pakonfirmuar në New York Post pretendonte se inteligjenca amerikane i kishte thënë Trump se Mojtaba Khamenei mund të ishte homoseksual.
Një zyrtar iranian që foli për The Telegraph tha se pretendimi amerikan thjesht konfirmoi atë që tashmë dihej gjerësisht brenda Iranit.
“Kjo nuk është diçka që amerikanët duhet të na e thonë. Të gjithë e dinin se udhëheqësi suprem nuk donte që Mojtaba të merrte stafetën”, tha ai.
“Mojtaba u zgjodh, por kjo është kundër vullnetit të udhëheqësit suprem dhe ndoshta edhe kundër vullnetit të tij. Ende nuk kemi dëgjuar asgjë prej tij”, shtoi ai.
“Udhëheqja e tyre ka ikur. Udhëheqja e tyre e dytë ka ikur. Tani udhëheqja e tyre e tretë është në telashe dhe ky nuk është dikush që as babai i tij se donte në krye”, tha Trump të premten.
Figura të larta midis udhëheqjes jo-klerikale të Iranit kishin shprehur kundërshtim ndaj trashëgimisë, me kritikët që thoshin se i ngjante monarkisë që Revolucioni Islamik i vitit 1979 supozohej se do ta kishte zëvendësuar.
Mojtaba mori vëmendjen e publikut në moshën 17 vjeç, kur u zhduk për një javë në mars të vitit 1985 ndërsa shërbente në vijën e parë të luftës Irak-Iran. Në atë kohë, babai i tij ende nuk ishte ngritur në rolin e udhëheqësit suprem.
Pastaj, kishte pak të dhëna që tregonin se adoleshenti i hollë, i parë nga komandantët e IRGC-së si i paaftë për luftë, një ditë do të udhëhiqte vendin.
Ali Fazli, një komandant i IRGC-së gjatë luftës, shkroi më vonë në kujtimet e tij: “Martirizimi i tij nuk është problem, por nëse kapet, do të jetë shumë i kushtueshëm për ne për sa i përket publicitetit.”
Mojtaba u shpëtua më vonë.
Ai kaloi dy muaj në Londër në vitin 1998, i shoqëruar nga 20 truproja dhe një vrasës serial të dënuar, sipas regjistrimeve të dala të marrjes në pyetje të shqyrtuara nga The Telegraph.
Mojtaba Khamenei, gruaja e tij, Zahra Haddad-Adel, nëna e saj dhe një shoqërues, përfshirë shërbëtore, morën me qira një kat të tërë të Sheraton Grand Hotel në Park Lane, me një kosto të raportuar prej më shumë se 1 milion paund, të financuar nga regjimi iranian.
Vizita u organizua në mënyrë që gruaja e tij të mund të merrte trajtim për fertilitet. Më pas ajo lindi një djalë, Bagher. Të dy u vranë në sulmet e 28 shkurtit.
Grupi udhëtoi me Saeed Emami, një operativ i lartë i inteligjencës i lidhur me vrasjet e intelektualëve dhe disidentëve iranianë midis viteve 1988 dhe 1998. Emami vdiq në paraburgim në vitin 1999 në rrethana që mbeten të diskutueshme.
Top Channel