“Kompani shtetërore për naftën“, Rama: Rritja e çmimit, pasojë e Luftës në Iran. Do të ndërhyjmë për stabilizimin e tregut
Në podcastin e sotëm, kryeministri Edi Rama komentoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për TikTok, ku tha se erdhi ‘si kofini pas të vjelit’.
Më tej kreu i qeverisë renditi disa përfitime që përdoruesit shqiptarë morën nga bllokimi i platformës për rreth 1 vit.
“Këtë javë, Gjykata Kushtetuese mori dhe vendimin për çështjen e TikTok-ut, në ndërkohë që në fakt nuk kishte më çështje pasi si rezultat i bllokimit të TikTok-ut disa kohë më parë për arsyet që janë bërë publike dhe sipas kërkesës së 95% të prindërve dhe të mësuesve, ne hymë në një dialog konstruktiv me kompaninë dhe kompania mori përsipër dhe filloi implementimin e një sërë masash të reja në ofrimin e këtij shërbimi për audiencën shqiptare.
Megjithatë Gjykata ka vazhduar në inercinë e vet dhe në fund ka dalë në konkluzionin se qeveria nuk provoi se bllokimi ishte mjeti i vetëm efektiv.
Tani vendimet e gjykatave natyrisht janë për t’u zbatuar, por unë nuk mendoj se vendimet e gjykatave janë në të gjitha rastet edhe për të mos u komentuar sepse them se është mirë edhe për trupën e prokurorit dhe të gjykatësve të Shqipërisë, që të përballen me opinionin e kritikës gjithmonë konstruktive për të përmirësuar dhe ata punën e tyre, pasi të trajtuarit e tyre si “lule mos më prek” edhe pasi kanë përfunduar proceset, nuk ndihmon në përmirësimin e cilësisë së drejtësisë.
Dhe faktikisht, ne kemi sot në zotërim, falë atij bllokimi filtra algoritmik apo të verifikimit të moshës, kemi një sërë masash që lidhen me gjuhën e dhunës, me vetë gjuhën shqipe që s’ishte fare në radarin e TikTok-ut deri në atë kohë dhe kemi realisht një bashkëpunim konstruktiv me platformën, kështu që ndalimi i përkohshëm solli pikërisht të gjitha këto rezultate.
Një kompani shumë miliardëshe erdhi në tryezë bisedimesh me një shtet të vogël, i cili në të gjithë vlerën e vet është nën vlerën e kompanisë dhe nuk është i vetmi shtet.
Këto kompani janë më të mëdha se shumë shtete të marra së bashku për nga kapitali, vlera e kapitalit që ato kanë në zotërim.
Dhe këtu hyn Gjykata Kushtetuese, si kofini pas të vjelit dhe nuk merr parasysh detyrimin kushtetues që Kushtetuta e Shqipërisë e përcakton qartë se fëmijët kanë drejtën e një mbrojtje të veçantë nga shteti dhe se duhet të mbrohen nga çdo praktikë që mund të dëmtojë shëndetin dhe zhvillimin e tyre dhe nuk merr parasysh as faktin që bllokimi i TikTok-ut nga ana jonë, jo vetëm që nuk u kundërshtua apo nuk u vu në dyshim nga institucionet ndërkombëtare, duke filluar nga Bashkimi Europian, por përkundrazi u komentua pozitivisht në një sërë platformash mediatike të shumë e shumë shteteve në Europë dhe përtej saj, në një periudhë kur shumë vende po përpiqen të marrin masa të tilla dhe kur faktet tregojnë se algoritmet e këtyre platformave mund të prodhojnë efekte të dëmshme tek fëmijët, nga ankthi, deri tek sjelljet vetëlënduese apo tek shfaqjet brutale të dhunës që mund të çojë largqoftë deri në humbjen apo marrjen e jetës së tjetrit, atëherë mosveprimi i shtetit nuk është neutralitet dhe në këtë kontekst, e ashtuquajtura liri e fjalës, me të cilën abuzohet kaq shumë, nuk ka absolutisht as edhe një lidhje.
Gjithsesi, Gjykata Kushtetuese e ka marrë vendimin e vet. Një vendim i panevojshëm, në rastin më të mirë, sepse nuk kishte më konflikt dhe nuk kishte më se çfarë të diskutohej dhe ndërkohë, ne kemi bërë punën tonë dhe kemi marrë atë që prisnim të merrnim nga bllokimi i TikTokut”, u shpreh Rama.
Top Channel