Përmbytjet e lumit Vjosa kanë shkaktuar dëme të mëdha në serat e luleshtrydheve të rreth 60 kultivuesve në fshatin Kafaraj të Fierit.
Rreth 300 dynymë sera, që ndodheshin në pikun e prodhimit, u përmbytën dy muaj më parë, duke lënë sot prodhimin mes baltës, të dëmtuar dhe pa vlerë në treg. Fermerët e dëmtuar thonë se kjo është përmbytja më e rëndë që kanë përjetuar në vitet e fundit.
Sipas fermerëve, dëmet e përllogaritura arrijnë në miliona lekë. Megjithatë, deri më tani asnjë komision nuk ka shkuar në terren për të verifikuar situatën. Ata thonë se kishin marrë premtime se dëmshpërblimi do të bëhej brenda muajit shkurt, por deri më sot askush nuk ka ardhur për të parë nga afër dëmet.
Zona e Kafarajt njihet si një nga fermat më të mëdha të kultivimit të luleshtrydheve në Shqipëri. Për banorët e saj, kjo kulturë është burimi kryesor i të ardhurave, ndaj dështimi i këtij sezoni konsiderohet një goditje e rëndë për ekonominë e familjeve të tyre.
Vitin e kaluar prodhimi i luleshtrydheve në zonën e Frakullës arriti në rreth 9 mijë tonë, por dëmet nga përmbytjet këtë vit janë të mëdha dhe prodhimi do të jetë i pakët.
Top Channel