Kriza e blegtorëve në Fier/ Ankohen se nuk kanë treg, fermerët: Na dëmtoi edhe lagështia, janë rritur kostot

15/03/2026 12:23

Prej 11 ditësh blegtori Ardian Skënderaj, nga Levani në Fier, po përballet me një situatë tepër të vështirë ekonomike.

Sasi të mëdha qumështi i kanë mbetur stok, pasi fabrikat e përpunimit kanë refuzuar ta grumbullojnë, duke pretenduar prani aflatoksine. Përballë mungesës së tregut për produktin e tij, Skënderaj është detyruar të marrë një vendim të vështirë: të reduktojë fermën. Brenda rreth 10 ditësh ai ka shitur 25 krerë lopë.

Në këto kushte jam në kufijtë e ekzistencës. Nuk kam ku ta çoj qumështin dhe asnjëherë nuk kam përfituar ndonjë ndihmë apo subvencion nga shteti”, shprehet Ardian Skënderaj, blegtor.

Por kjo situatë nuk prek vetëm një fermë. Dhjetëra blegtorë të tjerë në zonën e Levanit po përballen me të njëjtin problem. Vështirësitë nuk kufizohen vetëm te fermat e gjedhit. E njëjta situatë po shfaqet edhe tek bagëtitë e imëta, ku numri i tufave ka pësuar një rënie drastike gjatë viteve të fundit.

Blegtori Nardi Murataj thotë se një nga arsyet kryesore të vështirësive është rritja e kostove të prodhimit dhe çmimi i ulët i qumështit.

“Lagështira e tejzgjatur ka ndikuar drejtpërdrejt në bazën ushqimore për bagëtitë, duke rritur ndjeshëm çmimin e ushqimit. Nga ana tjetër, çmimi i qumështit që paguhet nga grumbulluesit është shumë i ulët dhe nuk mbulon kostot e prodhimit.”, tha Nardi Murataj, blegtor.

Nëse kjo situatë vijon, ata paralajmërojnë se sektori në këtë zonë rrezikon të tkurret edhe më tej, duke humbur një nga traditat më të rëndësishme ekonomike të Myzeqesë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB