Ndahet nga jeta aktorja Jennifer Runyon, e njohur për “Ghostbusters” dhe A Very Brady Christmas

10/03/2026 13:41

Aktorja amerikane Jennifer Runyon, e njohur për rolet e saj në filmin Ghostbusters dhe në serialin komedi Charles in Charge, ka ndërruar jetë në moshën 65-vjeçare, sipas familjes dhe miqve të saj.

Lajmi u konfirmua edhe nga aktorja Erin Murphy, e njohur nga seriali Bewitched, e cila në rrjetet sociale shkroi se Runyon ndërroi jetë pas një beteje të shkurtër me kancerin, duke e përshkruar atë si një “zonjë të veçantë”.

Familja bëri të ditur se aktorja vdiq të premten, e rrethuar nga të afërmit e saj, pas një periudhe të vështirë për shkak të sëmundjes.

Vajza e saj, aktorja Bayley Corman, e cila ka luajtur në seriale si Chilling Adventures of Sabrina dhe Jane the Virgin, i bëri një homazh emocionues nënës së saj në rrjetet sociale. “Të gjitha pjesët më të mira të mia erdhën nga ti. Do të jepja gjithçka për edhe një ditë së bashku”, shkroi ajo.

Runyon debutoi në film në vitin 1980 me filmin horror To All a Goodnight dhe më pas u bë e njohur për disa role në televizion dhe kinema, përfshirë interpretimin e Cindy Brady në filmin A Very Brady Christmas dhe paraqitjen në filmin The In Crowd.

Në jetën personale, ajo u martua në vitin 1991 me trajnerin e basketbollit universitar Todd Corman, me të cilin pati dy fëmijë. Pas lindjes së tyre në fillim të viteve ’90, Runyon u tërhoq gradualisht nga industria e filmit dhe nga jeta publike.

Në një intervistë të vitit 2023, ajo kishte treguar se pas daljes në pension kishte punuar për disa vite me të rinj në rrezik në shkolla të mesme, duke iu përkushtuar aktiviteteve sociale dhe komunitare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB